Shqipëria është gati…
Ky vend më nuk ka sezon vetëm në muajt e verës…
Qysh në prill, mund ta gjeni atmosferën në kulminacion…
Në fakt, është “South Outdoor Festival” që prishi qetësinë e pasdimrit në jug.
Me shumë aktivitete nga mëngjesi e deri në mbrëmjet e vonshme, Jugu nisi kohën e turistëve, bën të ditur emisioni “SOT” i KTV-së.
Kjo pjesë e Shqipërisë dalëngadalë po kap hapin e zhvillimit të turizmit, me Detin Jon që konsiderohet me plazhet ndër më të mirat në botë, po ecën edhe pjesa e shërbimeve, pasi duket se nikoqirët e kanë kuptuar që shefi në turizëm, është vetë turisti.
Veç plazhit, Jugu ofron aventura malore, vende historike, shije me gatime të ndryshme, e që ndërlidhet gjithçka me vajin e ullirit, prodhim vendor i dalë nga ullinjtë qindravjeçar, që po ashtu janë pjesë e atraksionit të kësaj pjese.
Krahasuar me vite më parë, oferta për pushuesit ka evoluar.
Fal “Albania Adventure”, ndoshta 2 javë nuk do të mjaftojnë që t’i kaloni nëpër aktivitete të tjera përveç asaj në plazh.
… Jeep Safari, Hiking, Climbing e Mountain Bike nëpër malet e thepisura, ku lodhja në fund shpërblehet me pamje të bukura të bregut nga lart, e të natyrës së paprekur nëpër maje.
… Diving, Kayak, Stand Up- Paddle e Paragliding janë zgjedhjet tjera që mund t’i bëni, sidomos kjo për adhuruesit e sporteve pak më ekstreme … për ata që duan ta eksplorojnë botën nënujore, detin në largësi nga bregu e tërë vendin nga ajri.
Vuno ishte pika që nisi gjithçka në jug sivjet, fshat ky mes Dhërmiut e Himarës, vende këto më të njohura për turistët.
Fshati Vuno konsiderohet i veçantë për nga arkitektura, trashëgimia kulturore, historia e tradita, ndërsa krijon përshtypjen e fshatrave tipike mesdhetare. E në afërsi të fshatit, janë plazhet e bukura të Gjipesë e Jalës.
Ideja e organizatorëve të “South Outdoor Festival” ishte promovimi edhe i bukurive e atraksioneve që janë në shpinën e plazhit.
Pra, “South Outdoor Festival” solli në pah edhe pjesët historike, që në këtë periudhë kohore të vizitës sonë atje, ishte e tëra në restaurim e sipër.
Ky promovim që po i bëhet kësaj pjese, ka bërë që nga vendorët e kosovarët që ishin baza e turizmit të jugut, tani të shohim edhe turistë nga e mbarë Evropa, dhe të gjitha kontinentet e tjera.
Larg turizmit me resorë të shumtë… jugu karakterizohet me bujtinat e vogla të vendorëve e disa hotele të vogla, të ndërtuara me mundin e madh të diasporës që anash turizmit, janë shtylla kryesore ekonomike.
Një pjesë e veçantë që duhet shijuar po shkuat në jug, janë edhe detajet nga vaji i ullirit, që konsiderohet si më i miri për përgatitjen e gatimeve.
Atje mund të mësoni më shumë se si përgatitet ky vaj nga trungu i frytit e deri te produkti final, si dhe si ta dalloni vajin me degustim nga të qenët i dëmshëm e i vjetër, tek ai i pastër, apo “virgjin” si quhet ndryshe nga vendorët.
Detajet ndiqni në linkun e bashkangjitur: