Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska”.
Në seancë pritet të dëgjohet dëshmitari Millosh Radosavljeviq, i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq.
Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Maksimoviq.
Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkonin Serbisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të vazhdojë në mungesë.
Pos tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar lidhur me sulmin në Banjskë, Prokuroria Speciale më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë edhe kundër Milan Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve që janë në kërkim.
Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor, Afrim Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, në të cilin, pos policit Bunjaku, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e tyre është larguar në drejtim të Serbisë, pasi paraprakisht është strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.