Kurti: Kënaqësi të jem në Shkup, diskutuam për Planin e Rritjes
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mbrëmjen e së hënës kanë pasur një darkë në Shkup, ku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.
Ai para mediave tha se është kënaqësi ta vizitojë Shkupin, vend që bashkërisht me shtetet e tjera synon anëtarësimin në BE.
Kurti përmendi edhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi pikat e përbashkëta të kontrollit.
“Me këtë rast kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë, ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes. Kënaqësi të vij në Shkup, tash kur kemi pika të përbashkëta kontrolli. Ajo Han i Elezit – Bllacë, që më 12 prill u funksionalizua dhe ajo Glloboçicë-Jazhincë, që më 28 maj u funksionalizua. Si rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta me Qeverinë Mickovsksi, më 18 nëntor në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët”, ka thënë ai.
Kos: Ka konsensus për zgjerim, por mundësia të mos jetë e përhershme
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.
“Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, ka thënë ajo në samitin rajonal BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, teksa ka theksuar përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.
Për Kosovën ka thënë se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.
Tek ka folur për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo ka thënë se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.
Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.
Në samit po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
BE-ja ka njoftuar se Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar fusha të reja bashkëpunimi në mbrojtjen e konsumatorit, turizmit.
“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë ekonominë e rajonit dhe të ndihmojë vendet e tij të bashkohen me BE-në. Ai siguron 6 miliardë euro fonde për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital, me qëllim rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në rajon”, thuhej në njoftimin e BE-së.