Arbëri

Sot dëgjohet një dëshmitar në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”

Sot pritet të vazhdojë shqyrtimi kryesor në rastin e njohur si “afera e hidrocentraleve”. Të akuzuar në këtë rast janë katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka nga KEK-u. 

Të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në seancë. Sot do të bëhet dëgjimi i një dëshmitari.

Më shumë se tetë vjet janë bërë prej se dyshohet se ka ndodhur kontrabandimi i katër hidrocentraleve bashkë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KEK-ut.

Hetimet kanë zgjatur më shumë se katër vjet. Aktakuza është ngritur tash e më shumë se një vit e gjysmë e gjykimi është krejt në fillim. Hetimet për këtë aktakuzë patën nisur pas një raportimi në Koha Ditore. Sipas analizës së KOHËS në nëntor të 2021-s, ky gjykim nëse nuk arrin të përfundojë brenda një viti e gjysmë e gjithë lënda pritet të parashkruhet.

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, pati dëshmuar edhe ish-drejtori i KEK-ut, Edmond Nulleshi, si dëshmitar i propozuar nga Prokuroria Speciale.