Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sopi flet për tri problemet e mëdha të politikës së jashtme të Kosovës

Njohësi i zhvillimeve politike Agim Sopi, në emisionin “Konfront” të KTV-së ka folur për tri probleme të mëdha që ekzistojnë në politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës.

Sopi ka thënë se skandale si ajo e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pasur dhe do të ketë.

“Dua t’i referohem një fjalie të kryeministrit Albin Kurti që dha në një intervistë gjatë këtyre ditëve për një medium zviceran. Ai mesin tjetër tha se kemi shumë avokatë e politologë, që duan të bëhen ambasadorë, por se Kosova ka vetëm 30 përfaqësi diplomatike nëpër botë. Nga ky konstatim nxjerrim tri avari fundamentale, që për llogarinë time, përkufizojnë problemin e madh të diplomacisë dhe Ministrisë së Jashtme të Kosovës. E para nxjerr në sipërfaqe avarinë e madhe të shkollimit, që fatkeqësisht gjitha qeveritë e pasluftës, e edhe kjo e tashme nuk ka arritur të bëjë asnjë hap serioz. Për llogarinë time është problemi vital i ardhmërisë së shtetit”, ka thënë Sopi.

Ai ka folur edhe për numrin shumë të vogël të përfaqësive që ka Kosova nëpër botë.

“Problemi i dytë është se politologët e avokatët pretendojnë të bëhen diplomatë, e fatkeqësisht janë diplomatë. Është problem, që përkufizohet me logjikën e përzgjedhjes negative apo një lloj amatorizmi të institucioneve. Ku nuk është tentuar asnjëherë të krijohen institucione përmbajtsore dhe profesionale, por janë krijuar instrumente që i shërbejnë grupacioneve të ndryshme e interesave të veçanta politike. I njoh diku 15 diplomatë të shkolluar nëpër universitete me renome në Evropë e Botë, duke nisur nga Salih Kelmendi e te Nezir Kraku, dhe gjithë këta asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë së Jashtme të Kosovës apo diplomacisë kosovare. I treti, e kryesori, Kosova deri tash është njohur nga 115 shtete, e i ka vetëm 30 përfaqësi diplomatike, dhe atë kryesisht në vende të rajonit e Evropë. S’kemi bërë asnjë hap serioz me kriju raporte me vende që na kanë njohur. Prandaj është problemi i çnjohjeve. Është shumë më i madh sesa skandali Berishaj”, ka thënë Sopi.