Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Smakiqi: Prokuroria serbe pretendon se ka dëshmitarë okularë për ish-pjesëtarin e UÇK-së

Avokati Xhevdet Smakiqi, përfaqësues i familjes së Hasan Dakajt, ka thënë se Prokuroria serbe po pretendon se ka dëshmitarë okularë për rastin për të cilin po akuzohet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u arrestua në Merdar më 5 janar.

Dakaj mori rrugën për në Itali bashkë me vëllain e tij të premten për ta shfrytëzuar të drejtën e liberalizimit të vizave, por ai u ndalua në Merdar në dyshimin për krime lufte. Të hënën, atij iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

Smakiqi ka thënë se është njoftuar nga avokati Vasiljeviq, që i është caktuar nga shteti serb, se Dakaj po akuzohet për krime lufte në rrethinë të Prizrenit.

“Krejt gabimisht është arrestuar, krejt gabimisht po mbahet në burg duke menduar se është një person tjetër. Hasan Dakaj po akuzohet për krime lufte në rrethinën e Prizrenit kur ishte 19 vjeç. Dëshmitarë që mund të përdorë Prokuroria nuk ka shanse ta identifikojnë tash. Është krejt një sajim nga shteti serb. Ai e ka mohuar në tërësi dyshimet që ka Prokuroria e Serbisë. I ka thënë se keni gabuar personin, unë nuk jam ai. Është thënë, sipas avokatit serb, se Prokuroria ka edhe dëshmitarë okularë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Smakiqi ka theksuar se deri tash nuk kanë pasur kontakt direkt me Dakajn, derisa janë vazhdimisht në komunikim me ambasadorin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i cili ka njoftuar të gjitha ambasadat e shteteve partnere.

“Deri më tani, direkt kontakt nuk kemi pasur. Jam në komunikim të drejtpërdrejt me Jetish Jasharin, i cili më ka konfirmuar që ushtruar kërkesë për ta lejuar vizitën. Por deri tash nuk kam informata a është pranuar kërkesa. Familja ka kontaktuar me avokatin që ia ka caktuar shteti serb. Ai po na jep informata sa po dëshiron”, ka shtuar Smakiqi.

Sipas atij, avokati serb i ka thënë se do të ushtrojë ankesë për caktimin e masës së paraburgimit. Por Smakiqi dyshon nëse Vasiljeviq do ta bëjë një gjë të tillë.

Edhe Paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së që u arrestua në Serbi, po akuzohet për krime lufte Arbëri Paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së që u arrestua në Serbi, po akuzohet për krime lufte

“Ndërkombëtarët duhet të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Dakajt. Serbia nuk ka as juridiksion për t’i ndjekur ish-ushtarët e UÇK-së, pasi Kosova e ka themeluar Gjykatën Speciale”, ka thënë Smakiqi.

Hasan Dakaj ka dhënë fjalë të mira për kohën që po kalon në paraburgim, megjithatë Smakiqi thotë se nuk i merr si të mirëqena fjalët e tij.