Përfaqësuesi i Shoqatës së Transportuesve Privat në Prishtinë, Izet Smajli, ka thënë se subvencioni i Komunës për t’i ndarë 400 mijë euro për transportuesit privat ka mbulur vetëm 30% të humbjeve, të cilat sipas tij, ishin mbi një milion euro si pasojë e pandemisë.
Smajli megjithatë e ka falënderuar Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti “për këtë ndihmë sado të vogël”.
“Në kuadër të Shoqatës kompanitë kanë humbur mbi një milion euro, e 400 mijshi është vetëm 30% e humbjeve, por e falënderoj Kuvendin Komunal, kryetarin për këtë ndihmë sado të vogël. Këto para do të ndahen përmes një komisioni të veçantë që do të formohet e do të vijojë me procedurat se cila kompani ka më shumë punëtorë”, ka thënë Smajli në emisionin “038” të KTV-së.
Për kritikat e qytetarëve që transportuesit privat vijojnë punën e tyre me autobusë të vjetër, Smajli ka thënë se kjo përgjegjës i takon Komunës.
“Nuk është faji jonë, pasi kemi kërkuar Plani e Mobilitetit i cili nuk po funksionon. E kemi përkrahur këtë Plan. Nuk kemi mundësi me ble autobusë të rinj, pasi e kemi të pamundur të marrim kredi meqë nuk kemi kontrata afatgjatë tash e 10 vjet. Kontrata afatgjatë, me na pagu për kilometër, këto gjëra mund të bëhen dhe ne mund të pajisemi me autobusë të rinj. Kontrata afatgjatë na mundëson që ne të marrim kredi për të blerë autobusët e rinj. Nuk mund të jemi në një ombrellë me Trafikun Urban. Sipas Planit të Moblitetit, do të jenë 160 autobusë që do t’i mbulojnë nevojat e qytetarëve, që do të jenë 80 të Trafikut Urban, 80 të kompanive private. Kompanitë private i kanë 100 autobusë, por për shkak të pandemisë numri u reduktua në 80-85 dhe mbulojnë 70% të transportit”, deklaroi ai.
Smajli ka shtuar se sa i përket zgjatjes së orarit të autobusëve, sipas tij, kjo varet kryekëput nga Komuna, “e cila duhet të ri-organizojë transportin rrugor”.