Arbëri

Pak pritje për rezultate nga takimi Kurti-Vuçiq

Nga takimi që do të mbahet pas 10 ditësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk po priten rezultate, nga njohësit e çështjeve politike. Ata thonë se dakordimin e mundshëm për planin franko-gjerman, mbi të cilin do të diskutohet, do ta pengojë Serbia. Mirëpo, në këtë drejtim vlerësojnë se do të rritet edhe më shumë presioni i BE-së ndaj palëve

Në Prishtinë nuk janë shprehur pritje të shtunën për rezultate konkrete në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.

Njohës politikë thonë pala serbe do të jetë ajo që do ta pengojë çfarëdo përparimi.

Basri Muja, profesor i Shkencave Politike, thekson se ndër çështjet që do të diskutohen do të jenë edhe gjashtë kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit dhe plani 10 pikësh i Vuçiqit për të ardhmen e Serbisë. Sipas tij, Kosova do të tregojë konstruktivitet në këtë takim, meqë, thotë se ndryshe nga Serbia, ka nevojë dhe është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje finale.

“Kryetari i Serbisë, presidenti Vuçiq, do të tentojë që të gjejë pengesa apo barriera rrugës, në mënyrë që të mos arrihet deri te tavolina finale e cila do të prodhonte një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dy vendet. Pra ai do të tentojë që ta paraqesë si kusht themelimin paraprak të Asociacionit”, ka thënë Muja.

E për profesorin tjetër të shkencave politike, Dritëro Arifi, takimi Kurti-Vuçiq do të jetë më shumë formal, sesa që në të do të ketë diskutime konstruktive. Sipas tij, takimi do të mbahet për t’i zyrtarizuar qëndrimet që palët mbajnë për planin franko-gjerman.

“Po besoj që takimi i radhës që është thirrur nga Bashkimi Evropian më shumë do të jetë takim konsultativ dhe për t’i matur qëndrimet e palëve për planin franko-gjerman dhe kushtimisht njëfarë dakordimi verbal rreth pikave që ata mund të kenë qëndrime të ndryshme”, ka thënë Arifi.

Ndonëse as Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur interesimit të KOHËS për agjendën e takimit, njohësit politikë kanë veçuar disa nga çështjet që Kosova duhet t’i diskutojë në këtë takim.

Muja thotë se kryeministri Kurti derisa dialogon, duhet ta ketë parasysh dëmin që do t’i shkaktohej Kosovës nga themelimi i një asociacioni njëetnik dhe gjithashtu pengesat në integrimin euroatlantik nëse nuk ka përpjekje për njohjen e shtetësisë së Kosovës prej pesë vendeve të BE-së.

“Kryeministri Kurti do të duhej të insistojë në mosthemelimin e një Asociacioni të tillë. Dhe, çështja e dytë që është e rëndësishme për Kosovën, është problemi me 5 shtetet mosnjohëse”, është shprehur Muja.

E profesori Arifi ka shprehur pritjen që BE-ja ta rrisë presionin për pajtueshmëri sa i përket përmbajtjes së planit franko-gjerman. Sipas tij, presioni që po bëhet tash e sa kohë mbi të dyja vendet, mund të shpijë në një dakordim të shpejtë mes palëve.

“Bashkimi Evropian do t’u bëjë presion të dyja palëve që ta nënshkruajnë sa më shpejtë sepse kjo sipas BE-së, është rruga e duhur për të dyja palët që të arrijnë atë paqen e qëndrueshme”, vlerëson Arifi.

Ai theksoi se për çështjet që dialogohen në Bruksel, përfaqësuesit e të dyja vendeve duhet t’i ndajnë me spektrin politik, në mënyrë që të mbizotërojë uniteti dhe interesi shtetëror i palëve, për t’u parë më pas se si mund të shkohet tutje.

Plani franko-gjerman nuk është publikuar, por versioni jozyrtar përmban 10 pika, për të cilat pajtueshmëri të plotë nuk ka pasur as Kosova e as Serbia. Në të fundit thuhet se “të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme”, në mesin e të cilave është edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri Kurti ka thënë se themelimin e Asociacionit do ta konsideronte vetëm pas përmbushjes së 6 kushteve: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, nuk mund të jetë njëetnik, duhet ta përmbajë parimin e reciprocitetit për të drejtat e pakicave kombëtare, të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke, para themelimit të tij strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës duhet të shuhen dhe t'i dorëzojnë armët ilegale, si dhe presidenti i Serbisë duhet t'i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe te të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Kurti e Vuçiqi nuk kanë pasur takim në kuadër të dialogut që nga gushti i vitit të kaluar.