Ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se me gjithë përmirësimin e situatës me pandeminë, lirimi i masave do mundësonte rritjen e kontakteve mes njerëzve, duke shtuar rrezikun për përhapje të koronavirusit. Pas takimit virtual që kishte me kryetarët e komunave, ministrja tha se të premten do të mblidhet Komiteti për menaxhimin e pandemisë, ku do të diskutohet për përditësimin e masave. Për ministren e Shëndetësisë, kërkesa kanë pasur kryetarët e komunave. E për trajtimin e tyre është optimist ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Lehtësim të masave anti-Covid nuk pritet të ketë edhe për së paku dy javë.
Pas takimit virtual me kryetarët e komunave, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se me gjithë përmirësimin e situatës me pandeminë, lehtësimi i masave do ta rriste rrezikun.
Gexha në një përgjigje për KOHËN ka thënë se për çdo vendim do të koordinohen me të gjitha nivelet qendrore e lokale.
“Takimet po bëhen që të koordinohemi për masat, të cilat përditësohen sipas situatës së pandemisë. Nesër prapë do të ketë mbledhje të Komitetit ndërministror. Është e vërtetë se situata është përmirësuar ndjeshëm dhe po bëhet njëfarë lehtësimi, p.sh. lejohen nga 20 në 30 persona brenda, kuptohet me dëshmi vaksine, dhe nga 30 në 50 persona jashtë. Por, kryesisht jemi të mendimit që masat të vazhdojnë, sepse megjithatë jemi në fushatë zgjedhore, dhe kontaktet e tepruara mes njerëzve e rrisin rrezikun. Për çdo vendim koordinohemi me të gjitha nivelet lokale e qendrore, për ta informuar publikun dhe për të garantuar zbatimin e masave. Në këtë kuadër dje jam takuar me grupin e ekspertëve, kurse sot, bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, kemi pasur telekonferencë me kryetarët e komunave”, ka thënë u.d. e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha.
Ministres së Shëndetësisë kryetarët e komunave i kanë kërkuar lehtësimin e disa prej masave.
Heqja e orës policore e mosmbajtja e mësimit një ditë pas zgjedhjeve janë disa prej kërkesave të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi që më datën 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve të 17 tetorit – ditën e zgjedhjeve lokale) të mos mbahet mësimi, por të dezinfektohen shkollat, meqë aty pritet të mbahen votimet dhe madje me buxhet të siguruar nga niveli qendror për komunat, meqë mjetet komunale në shërbime dhe mallra janë në limite të vogla. Po ashtu u kërkua që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksinuar, si dhe të hiqen maskat kur një person vetëm është duke ecur”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Optimistë se këto kërkesa do të merren parasysh nga institucionet kompetente është ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutojmë me kryetarët, të marrim edhe opinionet e kryetarëve dhe mandej presim që Ministria e Shëndetësisë do të i diskutojë me institutin mirëpo gjitha këto shqetësime sot janë diskutu dhe besoj që do të trajtohen”, ka deklaruar ministri Krasniqi.
27 shtatori është data kur për herë të fundit kanë hyrë në fuqi masat e ndryshuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas këtyre masave, për të hyrë në hapësirat e mbyllura duhet të jesh i vaksinuar derisa qarkullimi i qytetarëve është i kufizuar nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 22:00.