Edhe gjatë 24-orëshit të fundit, Kosova ka regjistruar shifra treshifrore të të infektuarve me COVID-19. Ndërsa situata ka nisur të përkeqësohet, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë treguar se cilat dhe kur pritet të ashpërsohen masat kundër COVID-19. E shtrëngimin eventual të masave po e kundërshtojnë bizneset
Paralajmërimin e ministrit për ashpërsim të masave kundër COVID-19, nuk e kanë mirëpritur gastronomët. Ata vazhdojnë të jenë më kritikët, rreth masave anti-COVID. Disa nga anëtarët e shoqatës së gastronomëve kanë reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke thënë se masat tashmë janë të shtrënguara mjaftueshëm, sepse disa veprimtari nuk po lejohen të punojnë.
Veton Zuka, nga kjo shoqatë, ka thënë se bllokimi është vendim i palogjikshëm.
“Po na me masa jena, ora policore, orari me muzikë 21:30 mu ndal, distanca dihet, klubet mbyllur, sallat mbyllur, festivalet nuk mbahen! Krejt këto me zero vdekje, zero hospitalizime edhe plus me 65% të vaksinuar e me një tufë të imunizuar. Ka jeni nisur kështu?”, ka shkruar ai në rrjetin social, facebook.
Disa herë gastronomët kanë protestuar para qeverisë duke kërkuar lirim të masave, pas uljes së numrit të të infektuarve.
Por, një ditë më parë, ministri i Shëndetësisë tregoi se si janë duke shqyrtuar mundësinë e ashpërsimit të masave, për shkak të përhapjes së variantit Omicron.
Pas mbledhjes së komitetit për menaxhimin e pandemisë, ministri Rifat Latifi ka thënë se as Kosova nuk pritet t’i shpëtojë ndonjë vale të re infektimi.
“Është shumë e mundshme se do të përballemi me një valë tjetër si të gjitha vendet e tjera. Një element inkurajues është se Omicroni nuk është aq i rrezikshëm si formë, krahasuar me format e tjera të mëparshme. Pavarësisht kësaj, ne duhet t’i marrim të gjitha masat që të kemi kujdes”, ka thënë Latifi.
Ai ka bërë apel që të mbahet maska e po ashtu të vaksinohen të gjithë ata që nuk janë vaksinuar. Ndërsa ka thënë se shtrëngimi i masave do të varet edhe nga situata epidemiologjike.
Në lidhje me këtë nuk janë përgjigjur gjatë së enjtes, as Instituti i Shëndetit Publik, që rekomandon masat e as Ministria e Shëndetësisë, e cila i dërgon në qeveri për miratim.
E të enjten ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke kërkuar që të mos injorohen në lidhje me këtë temë. Përmes një njoftimi në Facebook, AKK-ja ka thënë se Qeveria nuk e ftoi Asociacionin si anëtar të Komitetit anti-COVID-19.
“Kjo tregon se AKK-ja u përjashtua edhe një herë nga ky komitet, i cili nga komunat cilësohet si mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë, sepse numri i rasteve me COVID-19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm. Komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë kryetarin që është zgjedhur me votë të drejtpërdrejte, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla. Jeta zhvillohet në komuna”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Me gjithë rritjen e rasteve me koronavirus, Kosova qëndron më mirë për sa i përket situatës së përgjithshme me pandeminë, krahasuar me vendet fqinje tek të cilat raportohet për mijëra raste ditore të të infektuarve.
Infektologu Salih Ahmeti thotë se Kosova nuk do të përballet me një valë më të ashpër të pandemisë sesa ajo e gushtit të vitit të kaluar, kur u godit fuqishëm nga varianti Delta. Ahmeti në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se në klinikat në QKUK, por edhe në spitalet rajonale janë bërë të gjitha përgatitjet për një valë të re të mundshme, teksa më shqetësues e ka parë gripin sezonal.
“Shfaqja e gripit sezonal ka qenë shqetësim. Kemi pasur raste të rënda dhe vdekje në nëntor dhe dhjetor 2020 para COVID-it. Në vitin 2020 nuk e kemi pasur asnjë rast të konfirmuar me gripin sezonal. Këtë sezon janë bërë gati 2 vjet që popullata nuk është përballur me gripin sezonal. Në periudhën 2-vjeçare është e logjikshme që popullata të jetë më lehtë e prekshme edhe ndaj gripit sezonal. Ka qenë e pritshme”, është shprehur ai.
Në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 152 raste me COVID-19, pas testimit të 5 mijë e 474 mostrave. Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes. MSH-ja ka bërë të ditur se 20 qytetarë janë shëruar duke çuar numrin e përgjithshëm në 158.102. Në total numri i rasteve aktive është 872.