Arbëri

Dërgesa e radhës e sistemit anti-tank turk, OMTAS, arrin në Kosovë

Sistemi anti-tank turk, OMTAS

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se të martën në Kosovë ka arritur dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

“Sot pranuam dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan. Këto sisteme rrisin ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe fleksibilitetin operacional të ushtrisë sonë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Sipas tij, OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke të pajisura me mbrojtje reaktive, si dhe objektiva të fortifikuara ushtarake.

Ministri theksoi se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të mundshëm të kërcënimit, duke e bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës më të aftë për reagim dhe mbrojtje efektive.

Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti përshëndeti arritjen e këtij sistemi në Kosovë.

“Më të fortë, më të sigurt: sistemi antitank turk OMTAS, pjesë e arsenalit të ushtrisë sonë”, ka shkruar Kurti.

Çka është sistemi OMTAS?

OMTAS është një sistem raketor anti-tank i gjeneratës së re, i zhvilluar nga kompania shtetërore turke Roketsan. Ai konsiderohet një nga sistemet më të avancuara në kategorinë e tij dhe përdoret nga Forcat e Armatosura të Turqisë, si dhe nga disa shtete të tjera.

Sistemi ka rreze efektive veprimi disa kilometra dhe përdor teknologji “fire-and-forget”, si dhe mundësi drejtimi manual pas lëshimit, duke i dhënë operatorit fleksibilitet të shtuar në kushte të ndryshme luftarake. OMTAS është i pajisur me koka luftarake tandem, të dizajnuara për të depërtuar mbrojtjen reaktive të tankeve moderne.

OMTAS-i mund të montohet në mjete të blinduara, platforma tokësore ose të përdoret nga këmbësoria, çka e bën atë të përshtatshëm për operacione mbrojtëse dhe manovruese në terrene të ndryshme.

VIDEO: