Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin antitank OMTAS nga Turqia. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se kjo armë është sistem kundër tankeve moderne dhe fortifikatave mbrojtëse ushtarake. Ai ka bërë të ditur po ashtu se janë duke u bërë diskutime edhe me Kroacinë dhe Shqipërinë si për blerje të përbashkëta armësh, ashtu edhe për bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes
Kosova ka blerë dhe tashmë ka pranuar një dërgesë me sisteme të avancuara të raketave antitank OMTAS nga Turqia.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sistemi raketor OMTAS është i aftë për të çarë edhe tanket moderne ndërsa ka shtuar se rrezja efektive e veprimit të tyre arrin deri në 4 kilometra, që e vendos atë në kategorinë e sistemeve kundërtank me rreze të mesme.
Ky sistem ka rreze veprimi nga 0.2 deri në 4 kilometra dhe peshon 35 kilogramë (raketa së bashku me tubin lëshues). Sistemi ka një diametër prej 160 milimetrash dhe një gjatësi prej 1.8 metrash.
Sipas të dhënave nga prodhuesi turk “Roketsan”, sistemi OMTAS është i favorshëm për të operuar edhe në kushte të pafavorshme atmosferike.
E Maqedonci ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ka ekipe të specializuara për të përdorur këtë lloj armatimi. Ai ka theksuar po ashtu se llojet e sistemeve që i ka blerë Kosova e plotësojnë njëra-tjetrën.
“Në kuadër të njësiteve të FSK-së kemi ekipe të veçanta të dizajnuara për sisteme antitank. Gjatë mandatit tonë kemi kontraktuar katër lloje të sistemeve raketore antitank, sistemet me dirigjim Javelin dhe Omtas, sistemin pa dirigjim Panzerfaust 3 dhe sistemin njëpërdorimësh HAR 66. Sistemi raketor antitank me dirigjim, Omtas ka rreze efektive të veprimit deri në 4 kilometra dhe është i dizajnuar kundër tankeve moderne, përfshirë ato me mbrojtje reaktive (ERA), si dhe kundër fortifikatave mbrojtëse ushtarake. Arsyeja pse kemi katër lloje raketash antitank ndërlidhet me distancën efektive, mënyrën teknike të operimit, terrenin dhe njësitet e dizajnuara për përdorimin e tyre”, ka thënë Maqedonci.
Nga Turqia, Kosova është pajisur më herët edhe me dronë “Bayraktar”, të cilët e mbajnë indeksin 12 të indikatorit të kapacitetit (TIV), sipas Institutit Ndërkombëtar të Stockholmit për Studimet e Paqes.
Të dytat për nga kapaciteti, bazuar në të dhënat e këtij instituti me indikator 8.8, janë mjetet e blinduara ushtarake “M-1117 Guardian”, të cilat Kosovës ia kanë dhënë si donacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka theksuar se Kosova ka arritur pajtim edhe për bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes, si dhe blerje të përbashkëta me Kroacinë dhe Shqipërinë, e për çka ai ka bërë të ditur se janë duke u zhvilluar edhe diskutime.
“Një ndër fushat për të cilat jemi dakorduar në nivel ministror është edhe bashkëpunimi për blerje ushtarake dhe bashkëzhvillim dhe bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes. Me ministrin (e Mbrojtjes të Shqipërisë) Pirro Vengu jemi dakorduar në parim që të gjenerojmë mundësi për bashkëzhvillim dhe bashkëprodhim të automjeteve taktike të blinduara ushtarake të njohura tashmë si ‘Shota’. Aktualisht jemi në fazën e diskutimeve dhe besojmë që në të ardhmen e afërt do të konkretizojmë këto përpjekje me marrëveshje formale”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka folur edhe për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ditë më parë ka thënë se shteti i tij ndihet i kërcënuar nga aleanca ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Maqedonci ka deklaruar se si Kosova ashtu edhe Shqipëria e Kroacia nuk bëjnë garë armatimi me Serbinë dhe nuk e kërcënojnë asnjë shtet.
“Tri vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe orientim të njëjtë strategjik dhe nuk kemi synim të garojmë me askënd në aspektin e armatosjes dhe as të armatosemi për kërcënuar dikë. Përkundrazi qëllimi i bashkëpunimit trelateral, por edhe fuqizimit të kapaciteteve mbrojtëse bëhet për parandaluar kërcënimet e mundshme për sigurinë e regjionit tonë. Militarizimi i Serbisë nuk lidhet aspak me këtë bashkëpunim tonin, Serbia është duke u armatosur qe shumë vjet dhe blerjet i bën kryesisht nga vendet si Rusia dhe Kina, militarizimi i Serbisë ka qenë shqetësim që e kemi ngritur vazhdimisht qe disa vjet dhe tregon qartazi për vazhdimësinë e qasjes së saj hegjemoniste në raport me fqinjët e saj dhe regjionin në tërësi”, ka theksuar ai.
Maqedonci ka përsëritur se qëllimi i bashkëpunimit Kosovë-Kroaci-Shqipëri është angazhimi për paqe dhe për siguri regjionale.
Në njoftimin e bërë një ditë më parë në Facebook lidhur me pajisjen me sisteme të reja, Maqedonci nuk ka treguar se sa të tilla sisteme i ka pranuar Kosova dhe as sa kanë kushtuar ato.
Viteve të fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë. Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja ka nisur më 2018 dhe pritet që të zgjasë dhjetë vjet.