Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sipas Shashës, Kosova është në pozicion më të mirë po që se qëndron jashtë “Ballkanit të Hapur”

Demush Shasha, drejtor i Institutit “EPIK”, ka thënë se Kosova është në pozicion më të mirë po që se qëndron jashtë “Ballkanit të Hapur” e se Serbia është më e fortë brenda kësaj iniciative.

Në Beograd të premten u nënshkruan disa marrëveshje në kuadër të iniciativës, që si nismëtare ka Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh në konferencën për media se lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhte nëse Kosova nuk do të refuzonte pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”. Megjithatë, Shasha ka kujtuar se pikërisht nga e enjtja tashmë ka nisur lëvizja e lirë dhe njohja e letërnjoftimeve, edhe pse Kosova ka qëndruar jashtë iniciativës rajonale.

“Prej kohësh Rama ka propaganduar se ‘Ballkani i Hapur’ do të sigurojë lëvizjen e lirë në rajon dhe njohjen e Kosovës nga Serbia, por këtë javë Kosova ka siguruar lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve nga Serbia pikërisht duke qëndruar jashtë Ballkanit të Hapur”, ka shkruar Shasha në Facebook.

Sipas tij, brenda “Ballkanit të Hapur” pavarësia e Kosovës do të relativizohej. “Promovimi i verës për shembull vjen para shtetësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, sipas Shashës, Serbia është më e fortë brenda iniciativës sesa jashtë saj.

“Nga ana tjetër jashtë ‘Ballkanit të Hapur’, Serbia duhet të pranojë ekzistimin e shtetit të Kosovës: sikur që pranoi këtë javë letërnjoftimet e Kosovës. Brenda ‘Ballkanit të Hapur’, Serbia është forcë dominuese politike e çliruar nga kontrollet perëndimore. Jashtë ‘Ballkanit të Hapur’, Serbia është e ekspozuar ndaj presionit për integrim në strukturat euro-atlantike sipas rregullave të lojës të vendosura nga BE-ja dhe SHBA-ja”, ka theksuar Shasha.

Edhe Rama: Kosova e ka futur veten në kurth, të nënshkruajë e vetme Marrëveshjen Arbëri Rama: Kosova e ka futur veten në kurth, të nënshkruajë e vetme Marrëveshjen

Ai po ashtu ka thënë se duhet njohur meritën gjithë spektrit politik në Kosovë që ka refuzuar të bëhet pjesë e iniciativës, “duke ruajtur konsistencën e Kosovës në qëndrimin e saj se procesi i Berlinit, nën udhëheqjen e Kancelarit gjerman dhe pjesëmarrje aleatëve të Kosovës, mbetet i vetmi proces rajonal që ka përkrahjen e Kosovës”.