Arbëri

Sipas SBASHK-ut gjendje në shumë shkolla të Kamenicës është alarmante

SBASHK kërkon që MASHT-i të veprojë për ta stabilizuar gjendjen në shkollat e komunës së Kamenicës. Ideja e pamatur dhe e paanalizuar fare e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, që në emër të “reformave” të mbyllë shkolla, u kundërshtuan që nga fillimi nga nxënësit, prindërit dhe punëtorët arsimorë.

Ky kundërshtim u mbështet arsyeshëm nga SBASHK-u dhe u tha qartë se nuk do të lejohet të mbyllet asnjë shkollë, sepse ato nuk janë pronë e Kastratit, po janë vatra arsimore të nxënësve dhe mësimdhënësve të Busavatës, Tuxhevcit, Strezovcit e Krilevës. Kastrati u mundua të ndikojë te opinioni me deklarata të pasakta se bëhet fjalë për shkolla me nga një nxënës, por e vërteta në këto shkolla është krejt tjetër. Prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit në këto fshatra qëndrojnë në mbrojtje të shkollave të tyre dhe kanë përkrahjen e kolegëve nga Kamenica dhe e tërë Kosova. Mësimi po vazhdon të mbahet edhe në këto shkolla, por Kastrati vazhdon po ashtu me idenë e tij, transmeton Koha.net komunikatën e SBASHK-ut.

Në këtë situatë kur gjendja në shkollat në Kamenicë është alarmante e me qëllim që të kthehet atmosfera e punës e pa stres e presione, SBASHK i drejtohet publikisht MASHT-it që të veprojë në stabilizimin e gjendjes atje. Të shohë nga afër situatën në shkollat e këtyre fshatrave dhe në të gjitha të tjerat dhe të marrë masa, si themelues i institucioneve të arsimit, që atje të ketë tekste shkollore, ditarë e mjete të tjera të nevojshme pune dhe t’i mbrojë mësimdhënësit, nxënësit e prindërit në Kamenicë nga tekat dhe idetë e paanalizuara e të dëmshme të kryetarit Kastrati, thuhet në komunikatën e Mashtit, dërguar edhe emediave. Nëse MASHT përmes zyrtarëve të lartë e të inspektorëve nuk vepron tani, gjendja do të komplikohet edhe më shumë dhe të çojë në greva dhe përplasje mes palëve dhe për këtë përgjegjësinë do ta bart kryetari Kastrati, por edhe ata që duhet të veprojnë për stabilizimin e gjendjes. Çdo ditë e humbur pa veprim konkret e rëndon edhe më situatën në shkollat e Kamenicës, përfundon komunikata.