Arbëri

Sipas OEAK, bizneset kosovare përballen me sfida në shfrytëzimin e përfitimeve të MSA-së

Ka shumë përfitime që dalin nga Marrëveshje e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për ekonominë e Kosovës, megjithatë rritja e eksporteve kosovare në drejtim të tregut të BE-së është ende larg niveleve të dëshiruara. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temë "Rritja e përfitimeve të BE-së".

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se kjo marrëveshje përbënë një kornizë mjaft të vlefshme që duhet të shfrytëzohet nga ana e bizneseve të sektorëve të ndryshëm, duke theksuar se pritshmëritë kanë qenë shumë më të larta në kohën kur është nënshkruar, bëhet e ditur përmes një komunikate për medie.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se arritja e kësaj marrëveshjeje e cila është e para kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian parasheh mes të tjerash fuqizimin e demokracisë, rritjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare, promovimin e bashkëpunimit rajonal, e poashtu edhe zhvillimin ekonomik.

Ajo tha se kjo marrëveshje tashmë ka rezultuar në zhvillime pozitive direkte si dhe indirekte duke përmendur rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, investimeve të huaja, dhe të hyrave buxhetore.

Përfaqësuesit e bizneseve që ishin pjesë e panelit folën për sfidat dhe mundësitë me të cilat ata përballen pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dh Asociim, duke dhënë edhe rekomandimet e tyre lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë institucionet e shtetit për të ndihmuar në informimin më të mirë të bizneseve për përfitimet e MSA-së si dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre.