Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sipas ministrit Lajiq, Serbia deri tash nga taksa e Kosovës ka humbur 461 milionë euro

Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq i deklaroi RTS-së se humbjet, që pësoi Serbia që nga vendosja e taksës ndaj produkteve serbe 14 muaj më parë, kapin 461 milionë euro, përkatësisht se në Kosovë brenda ditës eksportohen më pak mallra për një milion euro.

Siç është shprehur ai, pasojat nga kjo për biznesmenët serbë që kanë bashkëpunuar me biznesmenët nga Kosova janë afatgjata, meqë shtrohet si problem kur do të mund të rikthehen në treg madje as kur të hiqet taksa, transmeton Koha.net.

Sipas tij, importuesit nga Kosova tani e paguajnë më shtrenjtë grurin, meqë për disa produkte nga Serbia nuk ka zëvendësim, por për disa prodhime të gjitha vendet përreth dhe të rajonit e kanë shfrytëzuar taksën dhe bllokadën, kështu që në Kosovë kanë plasuar produktet e tyre dhe e kanë rritur eksportin.

Ministri Lajiq ka thënë se do të jetë e vështirë edhe nëse Kosova e heq taksën dhe ruan disa masa të tjera, realizon reciprocitetin, duke kërkuar që në fatura të shkruhet Republika e Kosovës, meqë një gjë të tillë shumë biznesmenë nuk do të pranojnë të nënshkruajnë, ndërsa “vështirë që dogana jonë do të lejojë daljen në treg të mallit të tillë nga Serbia”, transmeton Koha.net.

Lajiq ka thënë se Serbia është e gatshme të mënjanojë të gjitha barrierat dhe dëshiron tregti të lirë, ndërsa ka lavdëruar planet në lidhje me hekurudhën dhe linjën ajrore, por ka vlerësuar se pa heqjen e taksës nuk ka ecje përpara.