Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si parti e dytë opozitare në Kuvendin e Kosovës, ndryshe nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk pati kundërshtuar formimin e qeverisë së re të Kosovës, në krye të së cilës është kryeministri Avdullah Hoti.
Por, ditëve të fundit, PDK-ja, e cila më 13 korrik në Kuvendin e Kosovës e ka përkrahur edhe miratimin në parim të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore, ka shpeshtuar dhe ashpërsuar kritikat ndaj qeverisë së kryeministrit Hoti, sidomos për çështjen e rinisjes së dialogut me Serbinë.
Zyrtarët e PDK-së, thonë që kjo parti po e bën rolin e saj që i takon, atë të opozitës. Por, njohës të zhvillimeve politike, konsiderojnë se fjalori me plotë kritika në adresë të Qeverisë së Kosovës, i shprehur së fundmi nga PDK-ja, e që është ndryshe nga disa javë më parë, është indikator që tregon se PDK-ja është e interesuar të përfitojë për veten në këtë situatë.
Hoxhaj: Është çështje e qeverisë zgjerimi i saj
Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që partia e tij është opozitë ndaj qeverisë, por jo ndaj shtetit. Sipas tij, kjo është arsyeja pse e kanë votuar buxhetin e rishikuar, në mënyrë që t’iu shërbehet qytetarëve në kohë të pandemisë së koronavirusit dhe tashmë kur rënia ekonomike është e dukshme.
Sipas tij, PDK-ja nuk është as kundër zhvillimit të dialogut me Serbinë, por është kundër mënyrës dhe qasjes që ka Qeveria Hoti në dialog, meqë, siç thotë ai, në dialog qeveria ka hyrë “pa platformë të shkruar, pa strategji, pa koordinim të mirë ndërinstitucional, pa konsensus politik, pa përvojë në këtë proces dhe pa asnjë ekspertizë”.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a duhet tema e dialogut të shërbejë si shkas që Qeveria e Kosovës –e cila konsiderohet e brishtë për shkak se është miratuar me votat e 61 deputetëve nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës – që të zgjerohet dhe përfshijë edhe subjekte tjera politike nga opozita, në këtë rast vetë PDK-në, Hoxhaj përgjigjet:
Edhe
Analistët ftojnë LVV-në ta shqyrtojë mundësinë për marrëveshje edhe me PDK-në
“Çështja e zgjerimit apo moszgjerimit të qeverisë, nuk është temë që i takon vetëm Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është temë që i takon qeverisë. Ne jemi në opozitë dhe mbesim në opozitë. Nuk jemi këtu që të japim mendime se çfarë do të duhej të bëjë Qeveria e Kosovës për aq sa mund të qëndrojë apo mund të mos qëndrojë. Por, për tema të caktuara, mendoj që sjellja e PDK-së ka qenë parimore, konstruktive dhe në interes të rezonit shtetëror dhe në interes të qytetarëve, sikurse u pa me buxhetin, por sikurse po shihet edhe me qëndrimin tonë për dialogun”, tha Hoxhaj.
Ai ka shtuar që PDK-ja nuk mendon që duhet të ketë një proces të dialogut që të zgjasë dhjetë vjet të tjera, por të ketë një marrëveshje ndërmjet dy vendeve për njohje të reciproke.
Në vijë të përafërt me këtë, ka qenë edhe deklarata e Bekim Çollakut, shefit të kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më 18 korrik ka thënë që qëllimi i dialogut me Serbinë duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.