Arbëri

Palokaj: E çuditshme që nuk ka Ministri të Integrimeve Evropiane, BE-së i duhet adresë

Augustin Palokaj

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, e ka quajtur të çuditshme që Qeveria e re nuk e ka një ministri të Integrimeve Evropiane. Megjithatë, Palokaj ka deklaruar se mbetet të shihet nëse brenda Zyrës së Kurtit do të ketë ndonjë zyrë të veçantë që do të merrej me këtë çështje.

Palokaj në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se Bashkimit Evropian i duhet një adresë.

“Tash nuk e kemi një ministri që do të merrej me Integrime Evropiane dhe është paksa e çuditshme. Mbetet të shihet se a mos do të ketë ndonjë zyrë të veçantë brenda Zyrës së Kryeministrit që do të merrej me integrime evropiane. Me integrime evropiane duhet të merret secila ministri sepse ta zëmë nëse Kosova merr statusin e kandidatit dhe nis negociatat, negociatat do të zhvillohen në të gjitha fushat dhe secila ministri do të ketë një fushë përkatëse me të cilën do të merrej me integrime evropiane, që nga Ministria e Punëve të Brendshme, e Mjedisit, ajo e Energjisë e Bujqësisë e kështu me radhë. Bashkimi Evropian ka nevojë për një adresë e cila do të koordinonte të gjitha ministritë”, ka thënë Palokaj.


Palokaj tregon për qëndrimin e BE-së para 18 vjetësh: E dinin në hollësi se si do të rridhte kjo çështje

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka kujtuar qëndrimin e Bashkimit Evropian 18 vjet më parë kur u shpall pavarësia e Kosovës. Palokaj ka deklaruar se BE-ja e dinte në hollësi se si do të rridhte kjo çështje dhe kishte pasur koordinim mjaft të mirë.

Palokaj në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka kujtuar që prioritet kryesor në Bashkimi Evropian ishte miratimi i qëndrimit të përbashkët për rolin e EULEX-it në Kosovë, konkretisht nga komisioni në fushën e rendit dhe ligjit që ishte më i madhi që kishte pasur BE-ja.

“Para 18 vjetësh në këtë ditë pati qëlluar ditë e shtunë, i 16-ti dhe e diel i 17-ti, Bashkimi Evropian ishte në pritje dhe të gjithë e dinin në hollësi se si do të ishte koreografia në Kosovë dhe pastaj si do të vendosej në Bashkimin Evropian. Në javët dhe ditët që kishin ecur drejt shpalljes së pavarësisë gjithçka ishte koordinuar dhe matur mirë në BE. Prioritet për ta ishte që para se të shpallej pavarësia të miratohej qëndrimi i përbashkët për operacionin e EULEX-it, pra Komisioni në fushën e Rendit dhe Ligjit që në atë kohë ishte më i madhi i tillë që kishte pasur Bashkimi Evropian”, ka thënë Palokaj.

Palokaj ka thënë po ashtu që edhe pas 18 vjetësh nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket unitetit në Bashkimin Evropian pasi akoma 5 vende nga 27 sa janë anëtare, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ajo që për neve ishte jo e mirë dhe mbetet akoma është mungesa e unitetit në Bashkimin Evropian edhe pse gjithçka në paketën e Ahtisaarit dhe në mënyrën se si Kosova shpalli pavarësinë sikurse edhe në mekanizmat që pasuan pas shpalljes së pavarësisë në anëtarësimin e BE-së ishte përshtatur për nevojat e BE-së sërish nuk pati unitet. 18 vjet më vonë mbetet njëjtë ajo përbërja e vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe e atyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Pra, në atë kohë BE-ja sikurse edhe sot kishte 27 vende anëtare sepse ndërkohë që Kroacia u bë e 28-ta por u largua Britania e Madhe dhe që atëherë ishin 22 që do ta njihnin Kosovën dhe 5 që nuk do ta njihnin Kosovën. Pas 18 vjetësh të mos ketë ndryshim në këtë drejtim është një gjë jo e mirë dhe dëshmon para së gjithash mungesën e unitetit të Bashkimit Evropian në një çështje shumë të rëndësishme në politikën e jashtme. Kjo ka ndikuar gjatë tërë këtyre 18 vjetëve në raportet e BE-së me Kosovën”, ka thënë Palokaj.