Në repartin intensiv të Klinikës Infektive trajtohen rastet më të rënda dhe aktualisht janë 5. Asnjëri nga ta dhe asnjëri para tyre, sipas mjekëve, nuk ka qenë i vaksinuar.
Me shifrat rekorde të të infektuarve është shtuar edhe numri i të hospitalizuarve dhe i rasteve të rënda, që për çdo ditë barten nga qendrat e tjera Covid për në Intensive.
Afro 600 pacientë me COVID-19 po trajtohen në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale.
Kapaciteti maksimal i Infektives është 118, e të mërkurën 112 shtretër kanë qenë të zënë. Me shtimin e rasteve pritet që shumë shpejt nevojat t’i tejkalojnë kapacitetet.
Më parë rastet më të rënda kanë qenë kryesisht pacientët e moshuar. Sot janë pacientët e pavaksinuar.
Njëri nga pacientët që ka tri ditë që po merr trajtim mjekësor, tregon se familja po ia blen ilaçet dhe se nuk është i vaksinuar.
Në pyetjen nëse do të ishte vaksinuar tash, ai thotë: “Po se katastrofë ish”.
QKUK-ja është e furnizuar me barnat bazike, por ato më të kushtueshmet mungojnë. Pacienti Fazli Jashari ka dy javë që po trajtohet në Infektive dhe ka çmuar stafin mjekësor për kujdesin, por ka treguar se ilaçet janë të kushtueshme.
“Po. Veç një injeksion që e kam marrë ka kushtu 36 euro. 10 copa i kam marrë. Plus kom marrë njëfarë uji që e shpërlan gojën. Plus kom marrë ujë të kollit që e kom ble edhe vetë jam rast social, dhe nuk i kam kushtet. Edhe me këta shokët jemi bashkë, edhe këta me kanë ndihmu”, tha Jashari
Infektivja nuk është klinika e vetme brenda QKUK-së që po trajton pacientë me COVID 19.
Mbikëqyrësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti ka sqaruar se çka dallon kjo valë nga valët e tjera.
“Brenda 2-3 ditësh nuk na ka ndodhë që të hospitalizojmë kaq shumë pacientë. Sa u përket simptomave janë prezente simptomat gastroenterologjike, janë me prezente tash se valët e kaluara, dhe gjithashtu kemi një numër të madh edhe pse nuk kemi statistika të qarta, por kemi një numër me të madh të pacientëve të moshës me të re”, tha Ahmeti.
Në mesin e rasteve të shumta që po trajtoheshin gjatë dë mërkurës, kishte mjaft të tillë ku i shtrirë në shtrat ishte pacienti i ri, e ulur pranë tyre njëri prind. Fëmija i pavaksinuar e prindi po.
Javët e fundit situata me COVID-19 është përkeqësuar. Numri i rasteve aktive është rreth 13 mijë, ndërsa pjesa me e madhe janë të variantit Delta, variant i cili po përhapet me lehtësi.