Vetëm për 8 muaj të këtij viti në Strehimoren e Prishtinës numri i grave që kanë kërkuar strehim pasi përjetuan dhunë në familje ka arritur pothuajse shifrat e një viti më parë. Rritja e rasteve të dhunës ndaj grave e pazotësia e shtetit për t’u dalë në mbrojtje po konsiderohet problem që do zgjidhje të menjëhershme
Kjo Shtëpi e Sigurt në Prishtinë dy herë brenda një kohe të shkurtër është bërë strehë e një gruaje që ka përjetuar dhunë në familje.
Me herën e parë kur ajo doli nga aty e madhe ishte shpresa që nuk do të kthehej më.
Pas përsëritjes së dhunës ndaj saj, tek ajo më nuk ekzistojnë as shpresa e as siguria nga shteti se nuk do të vijë edhe për një herë të tretë në këtë strehimore, që është i vetmi vend në zinxhirin shtetëror ku i është ofruar paqe e përkohshme.
“Raste recidive për çdo vit pranohen në Strehimore, kjo do të thotë që neglizhohet zgjidhja e problemit të tyre. Mund të them që brenda vitit sillen diku deri në tri-katër raste që janë recidive, e ndodh që vjen prej dy deri në 3-4 herë rasti i njëjtë brenda vitit”, ka thënë Zana Hamiti, drejtoreshë e Strehimores së Prishtinës.
6 muaj maksimumi deri në një vit zgjat strehimi e mbrojtja e grave nga dhunuesi e më pas ato në të shumtën e rasteve kthehen sërish aty ku buron dhuna.
Kjo pasi riintegrimi e pavarësimi ekonomik i tyre që do t’i mbante larg nga abuzuesit ekziston vetëm teorikisht në Planin e Veprimit të Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.
“Procedurat civile dhe këto të tjerat, promovimi, përkrahja, përfshirë strehimore të qëndrueshme, punësim ose vetëpunësim, e gjëra të tilla janë larg perspektivës dhe kjo e vë në një situatë shumë më delikate edhe në aspektin psikologjik e emocional, por edhe ekonomik viktimën”, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Në një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë, të pyetur se çka ndodh pas atyre 6 muajve strehim me viktimat e dhunës në familje, ata kompetencat ia kanë kaluar nivelit lokal.
“Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie e Komunës është e obliguar të sigurojë banimin e viktimës pas daljes nga qendra e rehabilitimit, të mbulojë qiranë e banesës ose vendosjen në banesat sociale të shtetit”, thuhet në përgjijgen e Ministrisë së Drejtësisë.
Deri më tash Komuna e Prishtinës ka hartuar një rregullore, por kriteret për t’u pranuar aty po vlerësohen tejet të larta. Kriteret e vendosura deri më tash nuk janë plotësuar nga asnjë viktimë.
Sipas Policisë së Kosovës, prej janarit e deri në korrik të këtij viti janë evidentuar 1604 viktima të dhunës në familje, prej tyre 1324 kanë qenë gra.
Sipas drejtoreshës së Strehimores, rastet e dhunës në familje vetëm po rriten.
“Krahasuar me vitet paraprake numri është në rritje, që do të thotë se deri më tash i kemi pasur 125 raste të strehimit krahasuar me vitin paraprak, që deri në fund të vitit i kemi pasur 132 raste, do të thotë që është kah shkon në rritje numri i viktimave”, ka thënë Hamiti.
Ndonëse Qeveria është shprehur disa herë se e ka prioritet mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë në familje, këtë vit ua ka zvogëluar buxhetin shtëpive që i strehojnë ato.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.