Nënat e reja mbi 18-vjeçare, të cilat kanë sjellë në jetë fëmijën e tyre që nga 1 gushti i këtij viti, do të mbështeten me nga 170 euro në muaj nga Qeveria e Kosovës. Njëkohësisht do të fillojë zbatimi gradual i programit për shtesat e fëmijëve. Në një konferencë për media kryeministri Albin Kurti ka premtuar rritjen e mirëqenies dhe uljen e varfërisë, derisa ministri i Financave ka dhënë hollësi rreth afateve se kur do të fillojë dhënia e shtesave për fëmijë, varësisht nga grupmosha.
Të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe ata të sivjetshëm do të jenë përfitues të shtesave prej 10 e 20 eurosh në muaj, të ndara nga Qeveria e Kosovës.
Për fëmijët 0 deri në 24 muaj pagesa do të jetë 20 euro në muaj, e për ata nën 16 vjeç nga 10 euro.
Në një konferencë për media kryeministri i Kosovës së bashku me ministrin e Financave kanë folur rreth kësaj çështjeje, duke treguar se edhe gratë lehona do të përfitojnë nga 170 euro në muaj.
“Pagesat për lehona do ofrohen për të gjitha gratë mbi moshën 18 vjeçare dhe që janë shtetase të Kosovës dhe kanë lindur nga data 1 gusht e këtij vitit. Pagesa është për lehonat e papunësuara para datës së lindjes, mbështetja do jetë për 6 muaj, si dhe pagesa për lehona të tjera të punësuara mbështetja do jetë në vlerë të pagës minimale për 3 muaj”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është vetëm njëri nga zotimet që janë duke e përmbushur.
“Me këtë formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas, në shoqëri po kujdesemi për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e lindur”, u shpreh ai.
Ministri i Financave tutje ka thënë se pagesat do të bëhen në llogari të tyre e që mbështetja do të shkojë direkt te gratë.
Aplikimi do të hapet nga e shtuna, nëpërmjet platformës “E Kosova”.