Arbëri

Shqiptohen rreth 800 gjoba ndaj kompanive për shkeljen e të drejtave të punëtorëve

Ilustrim

Ilustrim

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës (IQP) Hekuran Nikçi, ka bërë të ditur në një intervistë për Ekomomia Online, se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 787 gjoba për subjektet juridike që kanë shkelur të drejtat e punëtoreve. 

Ai ka thënë se në këtë periudhë janë inspektuar 5,960 subjekte juridike. Sipas tij, gjobat më të mëdha të shqiptuara janë në lidhje më marrëdhënien e punës, ndërkaq sa i përket sektorëve, më së shumti gjoba ka në sektorët e ndërtimtarisë, gastronomisë dhe të prodhimit. 

“Për janar-qershor të këtij viti 2024, IQP-ja ka inspektuar 5, 960 subjekte juridike që i bie 2,285 më shumë se për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përgjatë kësaj periudhe Inspektorati Qendror i Punës ka shqiptuar 787 masa ndëshkimore apo gjoba apo që i bie 385 gjoba më shumë se për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar 2023. Marrëdhënia e punës është ajo për të cilën Inspektorati i Punës shqipton gjoba më së shumti, do të thotë që buron nga ligji i punës", ka thënë Nikçi për EO.

Kurse, sa i përket shkeljeve që janë gjetur, Nikçi, ka thënë se kanë të bëjnë me shkëputje të njëanshme të kontratës, moskompensim i orëve jashtë orarit, moskompensim i pushimeve vjetore, pushimeve mjekësore dhe moskompensim i orëve gjatë festave zyrtare. 

“Shkeljet janë: shkëputje e njëanshme e kontratës, moskompensim i orëve jashtë orarit moskompensim i pushimeve vjetore, pushimeve mjekësore, dhe moskompensim i orëve gjatë festave zyrtare. Në rritjen e numrit të inspektimeve që i bie që edhe ne si Inspektorat Qendror i Punës, kemi ngritur kapacitetin, kemi rritur prezencën d.m.th kemi trefishuar prezencën tonë në teren, kemi dyfishuar numrin e inspektorëve. Ne gjithashtu, kemi arritur të identifikojmë edhe shkelje më shumë se vitin e kaluar”, ka thënë Nikçi.

Megjithatë, pavarësisht shkeljeve, Nikçi, ka thënë se për periudhën gjashtë mujore nuk ka asnjë rast të vdekjes në vendin e punës./EO