Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqiptarët humbës, në Tuz fitoi PDS e Gjukanoviqit

Tuz, 30 nëntor- Fenomeni i derdhjes së votave shqiptare në kutitë e partive malazeze është i vjetër, i cili po shtohet prej zgjedhjeve në zgjedhje në Malësi, por edhe në treva të tjera të banuara me shqiptarë në Malin e Zi.

Të dielën e shkuar përfunduan edhe një palë zgjedhje lokale në Malësi – Tuz. Me votën e qytetarëve të atjeshëm me shumicë shqiptare partitë shqiptare, sipas konfirmimit të rezultateve paraprake, pësuan humbje të thellë, raporton “Koha javore”. Në Kuvendin e ardhshëm të Komunës Urbane të Tuzit tri partitë shqiptare konkurruese, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve do të kenë vetëm 12 nga gjithsej 32 ulëse. Zgjedhjet i fitoi bindshëm partia në pushtet. Të kota ishin përpjekjet zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës për bashkimin e subjekteve shqiptare në prag të këtyre zgjedhjeve, sikurse edhe thirrjet e diasporës shqiptare që qytetarët e Malësisë të votojnë shqip. Për njohësit e mirë të rrethanave të këtushme politike asgjë e re dhe e befasueshme. Befasi do të ishte sikur të kishte ndodhur e kundërta, na mëson e kaluara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në zgjedhjet lokale në Malësi përfshirë të gjitha qendrat e votimit, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, të drejtë vote kanë pasur 11 mijë e 612 votues në 28 qendra votimi, ndërsa dalja në këto zgjedhje ka qenë afro 60 për qind.

Në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit në Malësi kanë garuar nëntë lista zgjedhore: Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Alternativa Shqiptare, Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialiste Popullore, Partia Socialdemokratike, Mali i Zi Demokratik, Socialdemokratët dhe Partia Boshnjake.

Sipas rezultateve paraprake jozyrtare është raportuar se Partia Demokratike e Socialistëve (e Gjukanoviqit, në pushtet) ka fituar më së shumti mandate, përkatësisht 15 mandate, pasuar nga Alternativa Shqiptare me 7 mandate, Partia Boshnjake 3 mandate, Lidhja Demokratike Shqiptare 3 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate, Demokratët dhe Socialdemokratët nga 1 mandat, ndërsa Partia Socialiste Popullore dhe Partia Socialdemokratike nuk arritën konsensusin.

Ndërkaq, disa përfaqësues të partive politike shqiptare kanë raportuar për disa parregullsi të cilat sipas tyre janë evidentuar gjatë procesit zgjedhor, duke akuzuar PDS-në për trysni dhe blerje të votave në Malësi.

Vlen për t’u theksuar se partitë politike shqiptare edhe në këto zgjedhje pësuan një disfatë të thellë e cila padyshim që vjen nga mosunifikimi vite me radhë i partive politike shqiptare të cilat vazhdojnë gjithnjë të jenë të përçara, ndërsa për humbje të tyre shpeshherë i kanë fajësuar votuesit.

Rikujtojmë se kuvendin e ardhshëm të Komunës në kuadër të kryeqytetit në bazë të ligjit mbi zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, do ta përbëjnë 32 këshilltarë/e.

Këto janë zgjedhjet e katërta lokale në Tuz si komunë urbane, ndërsa të parat për komunë në kuadër të kryeqytetit.