Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqiptarët e veriut presin që pas zgjedhjeve t’u mundësohet kthimi në pronat e tyre

Nazmi Ismaili, kryetar i Këshillit të banorëve të veriut të Mitrovicës, ka thënë se shqiptarët e veriut presin që pas zgjedhjeve t’u mundësohet kthimi në pronat e tyre të kahershme në këtë zonë.

Në një lidhje direkte për KTV-në në ditën e zgjedhjeve në katër komunat veriore, Ismaili ka thënë se shqiptarët në veri të Mitrovicës kanë pritje të mëdha nga kryetari i ri.

“Disponimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i mirë. Presin shumë nga kryetari i ri, kushdo që zgjidhet. Kryetari do ta ketë obligim t’ua kthejë shpresën qytetarëve që kanë qenë deri tash pa asnjë funksionim shtetëror”, ka thënë ai.

Ismaili e ka parë si sfidë kryesore për kryetarin e ri “kthimin e shqiptarëve në veri”.

“Prioritet duhet të ketë ndërtimin e të kthehen shqiptarët në pronat ku kanë banuar para 30-40 vjetësh. Në vitin 1981, sipas të dhënave, kanë qenë 12 mijë e 500 shqiptarë e sot janë afro 3000. Të gjithë janë të interesuar të kthehen. Vetëm duhet kryetari dhe institucionet të angazhohen e ata të jenë të lirë në pronat e tyre”, ka thënë Ismaili që ka shtuar se qytetarët që janë larguar nga veriu tashmë jetojnë në kushte të rënda në pjesën jugore.

Edhe Dalje e ulët e qytetarëve në Mitrovicë të Veriut, serbët iu bindën thirrjes për bojkot LAJMET E MBRËMJES Dalje e ulët e qytetarëve në Mitrovicë të Veriut, serbët iu bindën thirrjes për bojkot

Për bojkotin e votuesve serbë, ai ka thënë se fajtore është Lista Serbe dhe presioni i saj. “E kanë pengesë dhe kanë presion nga Beogradi që të mos dalin në zgjedhje”.

Deri në orën 15:00, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga mbi 45 mijë qytetarë me të drejtë vote, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar vetëm 1092 qytetarë apo 2.4 për qind. Në veri po zgjidhen kryetarët e katër komunave, të cilat ishin pa udhëheqës që nga dorëheqjet e liderëve të shkuar, të Listës Serbe, pas vendimit për largim nga institucionet e Kosovës si kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale të lëshuara nga Serbia.