Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqiptarët dhe besimi në besëtytni

Dukuria e besimit në besëtytni është e përhapur në të gjithë popujt e botës dhe e kanë historikun nga periudhat e hershme, ka thënë etnologu Bashkim Lajçi.

Lajçi shtoi se besimi në besëtytni është prezent edhe sot e kësaj dite, por jo në përmasat e dikurshme.

“Edhe besëtytnitë sikurse elementet e tjera e kanë historikun nga periudhat e hershme. Edhe sot e kësaj dite janë prezentë. Normalisht jo në përmasat sikur atëherë, por ka vende ku besojnë. Është një dukuri që është e përhapur në të gjithë popujt e botës. Këto janë besime të kota dhe si të tilla, dikush beson, dikush jo. Sepse e kemi kuptuar që jo të gjitha e kanë atë forcë të ndodhin. Ka pas një komunikim të ndërsjellë me fetë, si shembull hoxha kur shkruan një hajmali”, ka thënë Lajçi në emisionin “SOT” të KTV-së.

Lajçi ka përmendur disa prej besëtytnive ku një kategori e njerëzve vazhdojnë të besojnë, ndërsa theksoi se te të gjitha gjeneratat ka dhe do të ketë “besime të kota”.

“Një prej tyre është macja e zezë me ta ndërpre rrugën. Ka njerëz që ende besojnë në syrin e keq apo mësyshin. Kjo i përket periudhave të hershme. Edhe gjeneratat e reja besojnë te kjo gjë, qoftë edhe vetëm me instikt dhe jo me atë vrullin e dikurshëm. Ka momente të caktuara kur njerëzit besojnë, në një mënyrë apo tjetër. Besime të tilla ka. Shqiptarët i kanë besëtytnitë e veta që përkojnë edhe me besëtytnitë me popujt e tjerë. Numri 13 ka të bëjë me ditën e dasmës, me ditën e vdekjes, me pjellori, me tokën e shumë elemente të tjera. Janë disa ditë që janë respektuar, kanë qenë ters me punu, me bo ndonjë veprim në atë ditë, siç është dita e martë. Pastaj, kemi elementin e kohës. Shumë veprime nuk lejohen të bëhen pas perëndimit të diellit nga frika se mund t’i ndodh diçka e keqe. Ka edhe për pjellorinë. Shtatzëna nuk duhet të bëjë disa veprime të caktuara, sepse mund të ndikojë në gjininë e foshnjës. Pastaj ardhja e nuses, janë bërë veprime që të ketë një jetë të lumtur, pjellori të mirë. Janë bërë me vetëdije të mirë. Dasmorët nuk janë kthyer në të njëjtën rrugë. Njeriu çdo herë ka komunikuar me fenomene të ndryshme për të mbijetuar. Janë me qëllim të mirë. Këto besime kanë qenë pjesë e jetës së tyre. Te të gjitha gjeneratat ka pas dhe do të ketë besëtytni”, përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm