Shtojca për Kulturë

Mallkimet shqiptare në simbiozë me besëtytnitë

Kur bëhet fjalë për kategori të veçanta në gjuhë, siç janë mallkimet e të cilat “frytëzojnë nën petkun e besëtytnive”, kemi të bëjmë me shumëllojshmëri njësish leksikore, art fjalësh, reflektim besimesh. Mallkimet dhe urimet, si në çdo trevë tjetër të banuar me shqiptarë, janë pjesë të konstitucionit shpirtëror e të mekanizmit të koherencës etnike. Mallkimet, sikurse edhe gjinitë e tjera folklorike, gjatë të kaluarës historike për shqiptarët kanë shërbyer në funksion të parandalimit dhe dënimit të keqbërësve gjatë ndërtimit të jetës në rrethana të caktuara

Krijimtaria popullore është njëra ndër shtyllat më të lashta dhe më të pasura të kulturës kombëtare, që tregon në mënyrë më besnike mbi dëshmitë materiale e shpirtërore të popullit shqiptar, që i kanë shpëtuar kohës, pavarësisht stuhive me të cilat u përball gjatë shumë shekujve.

Kur bëhet fjalë për kategori të veçanta në gjuhë, siç janë mallkimet e të cilat “frytëzojnë nën petkun e besëtytnive”, kemi të bëjmë me shumëllojshmëri njësish leksikore, art fjalësh, reflektim besimesh.

Zhvillimi i një gjuhe është përsosja e mjeteve të shprehjes, e kjo përsosje, në një kuptim, s’është gjë tjetër veç krijim njësish të reja semantike, leksikore, gramatikore e stilistike (Jani Thomai 2009:100).

Pesha kuptimore

Disa nga mallkimet dhe urimet janë rezultate të anekdotave popullore, këngëve popullore, të cilat fuqizohen edhe më shumë, nëse merren parasysh kushtet e vështira jetësore, por që nëpërmjet këtyre formave të krijimtarisë gojore shprehet një mendim i plotë, i fuqishëm.

Mallkimet dhe urimet, si në çdo trevë tjetër të banuar me shqiptarë, janë pjesë të konstitucionit shpirtëror e të mekanizmit të koherencës etnike. Mallkimet, sikurse edhe gjinitë e tjera folklorike, gjatë të kaluarës historike për shqiptarët kanë shërbyer në funksion të parandalimit dhe dënimit të keqbërësve gjatë ndërtimit të jetës në rrethana të caktuara, p.sh. t’hupt fara, t’hupt besereti, t’marrshin dreqnit, t’hift dreqni n’bark, t’u shkurtoftë jeta, t’marrt mordja, cofsh sonte, lirr mos u gzofsh, t’shkoft vera n’terr, t’shkoft vera zez, t’hakt uki, plyq, plaç sonte, t’u thaft dora, t’u thafshin durtë, t’u thaft goja, t’plaçin sytë, thefsh qafen, t’i qorroftë Zoti sytë, dalsh meç.

Mallkimet janë të përhapura në të gjitha krahinat shqiptare, ku në përgjithësi, kjo gjini letrare gojore është shumë e përhapur.

Fjalët dhe shprehjet e tilla marrin peshë kuptimore, varësisht nga momenti dhe mënyra e të thënët, ideja merr dimension të ri, më me peshë.

Këto fjalë marrim kuptime të tjera, shpeshherë përcillen me emocione nga ai që i thotë, apo edhe nga ai që i pranon.

Disa shprehje në gjuhën shqipe kanë ardhur duke u reduktuar e kristalizuar (fjalët dhe shprehjet) në rrjedhën e kohës dhe kanë marrë formën adekuate të shprehjes e të mendimit sa më të plotë me sa më pak material leksikor.

Shprehjet etnografike janë të tipit individual. Fjalë a shprehje të kësaj natyre janë në përdorim në të gjitha arealet dhe si të tilla kanë përdorim masiv.

Ndarja e veprimtarisë fetare mund të shënohet gjuhësisht nga një shumëllojshmëri, papërcaktueshmëria e përgjithshme e së cilës varet duke qenë e një origjine të huaj (p.sh., latinishtja, arabishtja në shumë komunitete).

Bashkëveprimi i gjuhës dhe jetës shoqërore

Një teori e përgjithshme e bashkëveprimit të gjuhës dhe të jetës shoqërore duhet të përfshijë marrëdhëniet e shumta midis mjeteve gjuhësore dhe kuptimit shoqëror. Marrëdhëniet brenda një komuniteti të caktuar ose një repertori personal janë një problem empirik, që ftojnë për një mënyrë të përshkrimit që është etnografik dhe gjuhësor njëkohësisht, duke konceptuar mënyrat e të folurit si një grup formash simbolike të komunitetit.

Siç e pohon edhe Bardh Rugova (2015:75) konceptet për stilin, shpeshherë, e kanë si metaforë aforizmin e Buffonit në shekullin XVIII se stili është vetë njeriu, si zgjedhje gjuhësore e ndërshtënë brenda tekstit, përvojë e lexuesit për kuptimin e deri te funksioni i tekstit gjatë komunikimit.

Në gjuhë kemi fjalë që dalin kudo në trevat shqiptare me të njëjtin kuptim, por me forma të ndryshme, që kanë rrjedhur nga e njëjta proformë e shqipes së moçme. Këtu, në fakt, mund të përfshihen edhe të gjitha ato forma morfologjike dhe sintaksore, bashkë me mjetet fjalëformuese, që i kanë përbërë dhe edhe sot i përbëjnë pikat më kryesore të dallimit ndërmjet dy dialekteve të shqipes, si dhe degëzimeve më të vogla brendapërbrenda tyre.

p.sh voter-vater, vnesht-veshtë, gomar-magar, cjap-skjap etj.

T’i qit magari barrtë! - në këtë mënyrë i drejtohet ky mallkim dikujt, që atij t’i prishet çdo rregull dhe rend në familje.

T’coftë magari tuj shku n’mulli! - thuhet ky mallkim për një familje, që të mos ketë bereqet atë verë.

T’coftë magari n’mudhe! - mbettë pa e realizuar një punë, detyrë të nisur. I dështoftë një plan.

“Monitorim” nga lart

Gjuha është art, shumëllojshmëri ngjyrash, ku hasim në shprehje të ndryshme, varësisht nga kontekstet e përdorimit; koha, domeni i përdorimit, pjesëmarrësit në komunikim etj. Nëpërmjet kuptimit deduktiv të një fjale, në gjuhë krijohen edhe kuptimet konotative të saj, bëhet art. Emetuesja gjatë përcjelljes së mesazhit përçon shumësi të informacioneve, varësisht nga lloji i mesazhit, e marrësi mund të bëjë edhe konkludimin lidhur me kodet e marra. Në mallkime kemi raste të shumta kur vërehet qartë kur emetuesja beson në një fuqi superiore, pa pasur nevojë për ta emërtuar.

I paçsh kashoret e numrune!për dikë ushqimi që e ha, qoftë i fundit. I ardhtë dikujt vdekja shumë shpejt.

Me t’njehne i paç kashoret e buksë!dikush e pastë jetën në të sosur. Dikujt i ardhtë vdekja sa më parë.

Në raste të tilla mund të supozojmë që ekziston një “monitorim” i jetës nga dikush tjetër, e i njëjti mund të vendosë për vazhdimësinë ose jo të saj.

Mos e mrrifsh qyqen tuj knu! - thuhet për dikë, që t’i vijë vdekja para se të vijë pranvera, kohë kjo kur qyqja zakonisht këndon. Mallkohet në këtë mënyrë dikush që, pos të ligave që u përballtë, edhe atë e gjettë më në fund vdekja.

T’pafsha n’rabush t’hoxhës (priftit)! i ardhtë dikujt vdekja shumë shpejt. Hoxha ose prifti e paçin dikë në listë për t’u ndarë nga ai.

Kjo, sipas zakoneve, traditave e fesë, personi që ka vdekur duhet të pastrohet sipas riteve fetare, që të shkojë në atë botë, kjo përfshin përsëri çështje të besimit, i pastër.

Carrokët ta nxafshin shkamin, hartakja jarganin! mallkohet në këtë mënyrë një grua që të bëhet e parespektuar e në radhë të parë nga njerëzit e vet, ndërsa vendin në shtrat t’ia zë dikush tjetër. Një grua u konsideroftë e pavlerë nga njerëzit vet.

Magjia dhe syri i keq

Besëtytnitë, që janë shumë prezente e të larmishme edhe sot, gjatë gjithë historisë shqiptare kanë qenë pjesë e pandashme. Prezenca e një fuqie të profilizuar në forma të ndryshme në gjuhë përçohet me anë të njësive leksikore. Kultura e popullit shqiptar dhe besëtytnitë janë thjesht në simbiozë. Nëse më herët janë konsideruar si burim i të folmeve të grave, siç e thekson Eqrem Çabej, sot ky dallim gjinor i përdorimit ka filluar të zbehet. Sepse domenet e përdorimit të tyre nuk klasifikohen më mbi gjininë.

Si besëtytni më së shumti njihen magjia, kryesisht i ka përmendur Nexhat Çoçaj (2011), edhe shumë të tjera i shpjegon në detaje kuptimet dhe përdorimet e tyre, dhe syri i keq. Magjia njihet me emrin sehire dhe fjalë që lidhen me kryerësit e veprës quhen sehirbaz, serhirbaze. Për pasojat: t’prekmet, t’bane, t’bame, e kan prek t’banet etj. Besëtytnitë janë të shumta edhe ato që lidhen me trupat qiellorë, si p.sh. Hënën. Hëna shihet si përcaktues i mbarësisë, apo jo, për shumë çështje. Madje ajo edhe e ka kuptueshmërinë (shpjegimin) e vet: hana e plotë, hâna e shprazt, hana e vjetër, hana e re. Sipas besëtytnisë, kur është “hana e plotë” gjërat shkojnë mirë e për së mbari. Siç e pohon Fridrih Dulaj (2012:276) edhe për rajonin e Rahovecit gjithashtu është bërë përpjekje që edhe martesat të bëhen në hënë të plotë.

Shkelsh n’sehire! dikush u përballtë me të liga, që mund t’i vijnë nga të tjerët. Dikush u përballtë me telashe të shumta, që ia shkaktojnë të tjerët.

Shkelsh mi nafakë tane!dikush mos qoftë në gjendje që të zgjedhë rrugë për të realizuar ambiciet e veta. Dikush u bëftë shkaktar i telasheve në familjen e vet.

Baba Pushtrig ta theftë qafen! mos pastë fat në jetë një person, që nuk beson në asgjë, madje edhe i përqesh vendet e shenjta, siç është varri Pashtrikut, përkatësisht i Sari Salltuk Babës.

Çdo ndjenjë negative, person negativ, ngjarje negative është sinonim me fjalën dreq. E kundërta e së mirës, ashtu siç e përshkruan feja, kurse gjuha me mjetet e saj ia ka zgjeruar fushën e përdorimit kësaj fjale.

Shkofsh mirë me dreqna, qi s’po shkon mirë me vllazën!e kaloftë dikush jetën me shumë mërzi dhe vuajtje.

U martofsh me dreqna! a) mallkohet një vajzë, që burrin ta marrë një person, që s’ka askënd të vetin në jetë b) në dasmë të prezantojnë në vend të krushqve dreqërit e jo njerëzit e afërm të tij.

Nëpër Kanunin e Lekë Dukagjinit

Kush më mirë se Kanuni i Lekë Dukagjinit e pasqyron kulturën e historinë jetësore të popullit shqiptar. Në kreun e dytë të këtij Kanuni, ku flitet për ndërtimin e familjes, është një pjesë, si nënkapitull, e quajtur “Perelimi i zojës së shpis”, e cila ka të drejtën që t’i urdhërojë gratë e tjera të familjes, “me i çue për ujë, për dru, m’u çue bukë punëtorvet, me ujit (me vaditë), me bajt plehë, me korrë e me mihë e me qirue. “Gratë janë në detyrë me punue për shtëpi, po u teproj koha, si të lirohen prej punve të shpis, munden me ba punë doret të vetat”. E në bazë të kësaj kanë lindur edhe mallkimet si: marrsh nuse pa adet, mos të pruftë nusja as ujë, marrsh nuse veç me t’këqyr etj.

Shkofsh nuse ku gjinja mirren vesh me sakica! dikush u martoftë në një familje, ku mjet i marrëveshjes të mos jetë fjala, por sëpata, pra rrahja dhe keqtrajtimi.

Vera t’u baft arbain! - kështu mallkohet miku ose mesiti, të cilit mallkimet i drejtohen nëpërmjet këngës popullore: N’e paq sos me na ba shumë harxhim/Vera t’u baft arbain! Pra, mallkohet dikush në këtë mënyrë se u ka shkaktuar probleme.

T’ardhtë nusja djelit me kunop n’arkë! - në këtë mënyrë mallkohet ajo nënë, e cila e marton djalin me dëshirë që nusja ta sjellë në shtëpi përçarjen, deri në ndarje. U martoftë dikush me një grua, e cila me sjelljet e saj e përçaftë familjen dhe në vend të rehatisë e instaloftë urrejtjen dhe përçarjen.

Mallkimet, në pjesën më të madhe të tyre, e përfshijnë emrin Zot, ose edhe me shprehje si perëndia. Duke u paraqitur si një lutje ndaj tij për t’i bërë dëm dikujt apo diçkaje.

Zoti t’shkumoftë! i raft dikujt një e ligë mbi kokë. Mbettë pa shtëpi dhe pa pasuri dikush.

Ti qi pe lyp taksiratin pi meje, pi Zotit t’ardht ni sahat e ma parë! - mallkohet në këtë mënyrë dikush, që të përballet me shumë të liga në jetë.

Zoti ta thaftë shpirtin!jetoftë dikush keq dhe në skamje.

T’baftë Zoti urup–urup! dikë perëndia e mundoftë shumë. U përballtë dikush me shumë vuajtje në jetë.

Ma mirë vonë se hiq, po ty Zoti kurrë mos ta dhashtë!mallkohet në këtë mënyrë një grua që të mos ketë fat në jetë për t’i realizuar qëllimet e saj.

I heçsh t’zezat e motit, pi nirit e pi Zotit! - e jetoftë dikush jetën në skamje, pa pasur kurrfarë kushte për të jetuar.

T’hjerrt Zoti pi ksaj dyjaje, he! - vdektë dikush.

Zoti ta marroft gjinazën! - I ardhtë dikujt vdekje e turpshme, për shkak të veprimeve të tij të turpshme.

Pi Zotit t’ardhtë! - dikë e mundofshin të ligat.

E thaftë Zoti e baftë teneqe! - në këtë mënyrë mallkohet shkuesi, që e ka bashkuar dikë jo siç e ka menduar, që sipas këngës popullore: Na daltë nusja shumë e keqe...

Zoti ta marrt shpirtin n’kët dakik! - vdektë dikush pa qenë i sëmurë, as pa lënguar. I ardhtë vdekja e papritur.

Ta qarroftë Zoti nafakën! - mos pastë fat në jetë dikush.

Zoti t’ardht hakit, jarebi he!dikë e gjetshin shumë të papritura në jetë.

E gjetsh pi Zotit, jarebi he! - dikë e gjetshin shumë të papritura në jetë.

Mos t’lasht Zoti pa t’marru! - në këtë mënyrë mallkohen prindërit e nuses, ose shkuesi, që sipas këngës popullore: Mos dit nusja me gatu...

Vjetërsia e disa mallkimeve shpeshherë dëshmohet nga zgjedhja e fjalëve që u është bërë. Më herët, blegtoria, bujqësia kanë qenë pothuajse shtylla të mbijetesës për disa familje shqiptare, aq të vlefshme sa që janë krijuar edhe mallkime në lidhje me to, duke dëshiruar varfërinë, meqë ishin të vetmet burime finance në atë kohë.

T’i raftë dergja ahrit! i ngordhshin kafshët dikujt. Dikujt mos i mbettë asnjë mënyrë e jetesës nëpërmjet blegtorisë, me çka kryesisht merret ajo familje. Mos arrittë që t’ua marrë qumështin lopëve e as leshin deleve.

Punofsh pa alete tua! 1. Dikush mos pastë mundësi që të punojë tokën për shkak të varfërisë së madhe. Mbettë dikush pa asgjë në jetë. 2. Jeta dhe puna e dikujt u vartë nga të tjerët. Dikush e jetoftë jetën duke qenë i varur nga të tjerët.

Kurrë alet mos u gjet n’shpi tane! - mendohet në këtë mënyrë për një familje që të jetë boshe. Mos iu gjettë asgjë në shtëpi nga veglat e punës.

T’metshin almiset nejë!mbettë dikush pa i lëshuar në punë veglat e reja që i ka blerë. Mallkohet dikush në këtë mënyrë që të mos ia arrijë t’i shijojë frytet e veglave të punës.

Përmbajtja e mallkimeve mund të ndryshojë, është e llojllojshme, varësisht prej individit dhe çka cilëson ai më të rëndësishme, në disa raste paraqet një lloj mësimi moral, sigurimi të stabilitetit të komunitetit, mbrojtje e vendeve e objekteve të shenjta e të tjera.