Është edicioni i 13-të, do të nisë më 13 korrik, por “numrit ters” festivali ndërkombëtar i filmit të “Animuar” do t’i kundërpërgjigjet me “besëtytni” në qytetin mistik.
“Trokitni tri herë në dru dhe tërhiqni veshin, sepse si temë e këtij viti në festivalin e animacionit ‘Anibar’ janë besëtytnitë. Këtë vit, në qytetin mistik të Pejës, ne po i mirëpresim besëtytnitë nga afër dhe larg për të bashkuar vende, komunitete, artistë dhe miq për të festuar besime të shumta. Ne po mblidhemi për të formuar një pikë qendrore për diversitetin, multikulturalizmin dhe për t’i lidhur të gjithë së bashku me temën tonë. Edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i ‘Anibarit’ fillon nga data 13 deri më 19 korrik”, është shkruar në komunikatën për media, me të cilën të enjten “Anibari” e ka bërë të ditur temën e edicionit të sivjetmë. Ngjarja e shquar për organizim unik, në mënyrë unike ka shpalosur detaje. “Ejani dhe shikoni botën përmes një pasqyre të thyer!”, ka shtuar krejt në fund të komunikatës me gjuhë fort simpatike. Ajo nis me pyetje. “A i keni ra ndonjëherë gurit e drurit? A e ndërroni rrugën kur para këmbëve ju kapërcen macja e zezë? A ju qorton nëna, babai, gjyshja e gjyshi kur i prisni thonjtë e këmbëve gjatë natës? A besoni në të mbinatyrshmen? Mistikën? Mitet? Legjendat? Besëtytnitë? Nëpërmjet gjithë këtyre viteve të traditës janë përcjellë në gjenerata e gjenerata ushqimi, veshja, mentaliteti, gjuha dhe, mbi të gjitha, besëtytnitë, sado moderne të jenë bërë kohërat”, ka shkruar “Anibari” në komunikatë, bashkë me të cilën ka shpërndarë edhe posterin mjeshtëror. Një hut e mace e zezë janë personazhe të saj. Personazhe të “Anibarit” ndër vite kanë qenë emra botërorë të filmit të animuar.
“Qoftë fat i mirë apo i keq, nëm apo heks, sehir, helm magjik dhe hajmali fatsjellëse, kjo frikë e paarsyeshme e gazmore na ka ndjekur me shekuj të tërë. Ndonëse për disa, besëtytnitë mund të duken të liga e të paarsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme”, shkruhet në komunikatë. Sipas ekipit, ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. “Ngjashmëritë e besëtytnive në kultura të ndryshme jo vetëm se na afrojnë, por ato gjithashtu priren të na japin arsye të paimagjinueshme ose shpjegime mbi atë se përse ndodhin disa gjëra. Nganjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me besëtytni”, shkruhet në komunikatë.
Teksa është ndalur te 13-shi, që duket t’ia ketë dhënë temën, “Anibari” zbërthen se ky numër “përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq, por që pikëtakohet edhe me frikën, aq e rëndësishme sa për këtë punë një fobi e mban emrin e saj”. “Pavarësisht nëse jeni ose jo paraskevidekatriafobik, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë besëtyte”, ka ftuar “Anibari”.
Ka rikujtuar se ka qenë gjithmonë për promovimin dhe festimin e unitetit, diversitetit dhe kulturës, qoftë nëpërmjet filmave të animuar, muzikës, seminareve dhe paneleve.
“Një pikëtakim për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t'u ndier rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj besëtytë) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botë”, shkruhet në komunikatë.