Shqipëria ka bërë edhe një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka njoftuar kryeministri Edi Rama. Siç njoftoi ai, Shqipëria të mërkurën mori dritën jeshile për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Rama e ka quajtur këtë hap të rëndësishëm.
“Ky vendim i vendeve anëtare të BE konfirmon përgatitjen tonë dhe progresin konkret në rrugën drejt familjes europiane. Kapitujt përfshijnë: Politikat e transportit (Kapitulli 14), Energjia (Kapitulli 15), Rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), Mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, shkroi Rama në Facebook.
“Ky është një hap tjetër drejt Shqipërisë 2030, vend krenar i Bashkimit Europian”, shkroi ai më tej.
Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014. Asaj i duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.