Tiranë, 11 dhjetor – Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka mbërritur sot në Shqipëri, në kuadër të një vizite zyrtare, me ftesë të homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.
Vujanoviq është pritur me një ceremoni zyrtare në selinë e Presidencës së Shqipërisë, nga presidenti i vendit, Ilir Meta.
Dy homologët kanë realizuar një takim kokë më kokë dhe më pas mes delegacioneve. Pas takimit, Meta dhe Vujanoviq mbajtën një konferencë për mediat.
Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura mes tyre andaj duhet të çojnë përpara bashkëpunimin dy palësh në ekonomi për rritjen e shkëmbimit tregtar.
Këtë mesazh përcolli presidenti i Malit të Zi, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij Ilir Meta.
Filip Vujanoviq: Mes dy vendeve tona nuk kemi pyetje të hapura, kemi hapësira për punë. Në çdo hapësirë tjetër do të avancojmë në marrëdhëniet tona. Kemi mbledhje të përbashkët të qeverive dhe do të kërkojmë hapësirë për bashkëpunim jo vetëm në ekonomi por edhe fusha të tjera. Duhet të riafirmojmë projektet rajonale, në energjitikë dhe rrugët. Ti ofrojmë shanse ndërtimit të rrugës Adriatiko-Joniane dhe Gazsjellësit që është projekt i vendit tonë dhe kanë rëndësi dhe për rajonin. Jemi dy shtete që japim shembull për një kontroll të mirë të kufirit.
Vujanoviq gjeti rastin gjithashtu të falënderojë Shqipërinë për miratimin e ligjit të mbrojtjes së pakicave.
“Jemi mirënjohës për Ligjin e mbrojtjes së pakicave. Falënderojmë Shqipërinë" u shpreh Vujanoviq.
Ndërsa presidenti Meta vuri theksin tek përmirësimi i infrastrukturës në pikën e përbashkët të kalimit kufitar, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të njerëzve.
Meta gjithashtu nënvizoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit përgjatë kufirit Shqipëri-Mali i Zi.
Ilir Meta: Marrëdhëniet tona janë shumë të mira por ne jemi ambiciozë për ti përmirësuar më tej. Mjafton të shohësh pikën e kalimit të përbashkët Muriqan-Sukobin, sidomos gjatë pranverës dhe verës, është sukses i përbashkët pasi është pika e parë e përbashkët e kalimit kufitar. Por kur shikon rradhë të gjata atje, shikon se ende ka vend për përmirësim, për të përmirësuar infrastrukturën, lehtësuar më tej kalimin e qytetarëve dhe turistëve, shkëmbimet po rriten dhe do rriten akoma më shumë me përmirësimin e infastrukturës së përbashkët. Kemi një kufi të jashtëzakonshëm që na bashkon më shumë se na ndan. Do duhet të kujdesemi më shumë në projektet e përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit.
Pakica malazeze në Shqipëri është një pasur e paçmuar për ne, do të bëjmë çdo gjë për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre. Pakicat nuk janë një rrezik por ura bashkëpunimi dhe miqësie. Dy vendet tona janë në momente mjaft pozitive, Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave për anëtarësim, Mali i Zi është më i avancuar në këtë drejtim. Shpresojmë që vitin e ardhshëm dhe Maqedonia të realizojë një sukses të tillë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Vujanoviq Meta u pyet për çështjen e kryeprokurorit dhe përgjigjja ishte kjo:
Është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë. Është e rëndësishme të respektohet kushtetuta e fryma e saj, e të ketë një dialog të shpejtë e të përgjegjshëm dhe të bazuar mbi standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështje pasi çdo hap i njëanshëm nuk do të ndihmonte konsolidimin e pavarësisë
Ndërkohë presidenti i Malit të Zi do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, ndërsa në fokus të takimeve janë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rritja e bashkëpunimit.
{gallery}