Arbëri

Shqipëria “blindohet” me makinat e reja ushtarake

LMV2

Ushtria e Shqipërisë do të furnizohet me automjetet e para të blinduara “LMV2”, të prodhuara prej “Iveco Defence Vehicles”, divizion ushtarak i kompanisë italiane “Iveco”, që e ka bërë njoftimin në rrjetet sociale.

“Një moment historik për LMV2: Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të pajisen me automjetet tona”, u tha në njoftimin e kësaj kompanie.

Sipas njoftimit, blerja do të financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Fondit për Paqen, ndërsa zbatimi është marrë përsipër nga Agjencia Italiane e Industrisë së Mbrojtjes.

Nuk dihet shuma apo se sa njësi do ta modernizojnë Ushtrinë e Shqipërisë, por “LMV2” është gjenerata e fundit e modelit të suksesshëm dhe sjell mbrojtje të shtuar balistike dhe kundër minave. Veturat e tilla kanë motor të fuqishëm me 220 kuajfuqi dhe marsh automatik me tetë shpejtësi si dhe janë të përshtatshme për terrene të vështira.

Modeli është testuar në misione ndërkombëtare përfshirë Afganistanin dhe është pjesë e ushtrive të disa superfuqive, përfshirë Mbretërisë së Bashkuar, Italisë e Norvegjisë.

Me modele të tilla në rajon janë të pajisura edhe Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.