Gjashtë organizata të shoqërisë civile u janë drejtuar me një letër publike lidhur me reformën zgjedhore, deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tyre Projektligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili të enjten është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime, të cilat ata besojnë se, në njërën anë e cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.
Ata kanë kundërshtuar edhe mundësinë e trajtimit të këtij projektligji në procedura të përshpejtuara, përfshirë atë në të dy leximet brenda ditës së sotme.
Në letrën që përkrahet nga Demokraci për Zhvillim (D4D), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Organizata ÇOHU, janë listuar edhe disa nga ndryshimet që sipas tyre janë më problematike e të cilat thuhet se kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve.
Në letër thuhet se përshtatshmëria juridike e kandidatëve është ndër ndryshimet më të dëmshme në kuadër të projektligjit, që sipas tyre e cenon seriozisht integritetin zgjedhor. “Me ndryshimet e propozuara, të drejtë kandidimi nuk do të kenë vetëm ata që janë të dënuar me burgim efektiv prej një ose më shumë vitesh, duke e barazvlerësuarkriterin për kandidim me atë për humbje të mandatit. Kjo dispozitë ulë standardin për aplikim të kandidatëve si dhe ngushton gamën e kufizimeve mbi pamundësinë e kandidimit, duke i dhënë mundësinë kandidatëve që kanë qenë të dënuar me dënime me kusht, gjobë apo por me më pak se një vit burgim efektiv, për të qenë pjesë e garës zgjedhore”, thuhet në letër. Për më keq, thuhet se, ky ndryshim nuk merr në konsideratë faktin që sistemi gjyqësor i Kosovës shquhet për politikë të ulët ndëshkimore, meqë siç theksohet, vetëm në dy vjetët e fundit, mbi 80% e të personave të përfshirë në vepra penale të korrupsionit, janë dënuar vetëm me kusht, me gjobë ose me më pak se një vit burgim efektiv. “Të gjithë këta individë mund të jenë potencialisht kandidatë apo deputetë në të ardhmen, duke e cenuar seriozisht integritetin por edhe imazhin e vet Kuvendit”, thuhet në letër.
Sipas tyre Projektligji i ri rrezikon edhe pavarësinë e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), meqenëse thuhet se është paraparë mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 të anëtarëve të KQZ-së për rastet e dëmtimit të statusit apo integritetit të institucionit. “Këto ndryshime nuk janë në linjë me rekomandimet e misioneve të BE-së, por as me standardet ndërkombëtare, për shkak se në vend të përcaktimit se cilat janë rrethanat apo veprimet që përbëjnë cenim të statusit apo integritetit, është mundësuar politizimi i përfundimit të mandateve të anëtarëve, por sidomos Kryesuesit të KQZ-së, që do t’a zbehë besimin e publikut në këtë institucion”, thuhet në letër.
Problematike për këto organizata shihet edhe rritja e votës preferenciale në 10 kandidatë, siç ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007. Në letër thuhet se sipas statistikave zyrtare por edhe matjeve tjera, votuesit kanë pasur mesatarisht rreth 3 kandidatë të preferuar në votën preferenciale prej 5 kandidatësh, ndërsa në vet zgjedhjet e vitit 2007 kanë votuar vetëm rreth 5 kandidatë nga 10 vota preferenciale sa kishin në dispozicion. “Ky ndryshim është më shumë zhvendosje e përplasjeve dhe garës brenda-partiake tek votuesit sesa që në realitet kontribuon në përfaqësim më të drejtë apo kualitativ në Kuvend. Ky ndryshim mund të jetë kundër-produktiv në raport me evitimin e grupimeve prej pesë kandidatëve që propozohen nga degë të caktuara. Dyfishimi i votës preferenciale do të dyfishojë edhe kohën e numërimit, si dhe do të rrisë potencialin e manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionerëve, sidomos në rastet kur votuesit do të shënjojnë më pak se 10 kandidatë”, thuhet në letër.
Edhe
KDI-ja kritikon projektligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme
Sipas tyre më Projektligjin e ri numërimi i votave të kandidatëve në Qendra Komunale të Numërimit do të jetë risi e procesit zgjedhor në Kosovë. “Si rezultat i parregullsive dhe problemeve me numërimin e votave të kandidatëve të subjekteve politike është paraparë centralizimi i procesit të numërimit të votave të tyre nëpër secilën komunë. Ndonëse duhet të testohet në praktikë, kjo formë e numërimit mund të shoqërohet nga probleme lidhur me besimin e publikut në rezultate – duke u nisur nga vet fakti që kutitë e votimit do të hapen dy herë për numërim. Po ashtu, fakti që mund të ketë gabime gjatë numërimit të votave të subjekteve politike, mund ta paralizojë punën e ekipeve të numërimit”, thuhet në letër.
Ndërkohë që theksohet se pragu për kandidatët e pavarur dhe modeli “zebër” i përfaqësimit gjinor janë çështje shumë të rëndësishme, por që thuhet se nuk janë trajtuar fare në kuadër të projektligjit.
“Derisa kandidatët e pavarur duhet të fitojnë 5% të votave për të fituar një mandat, me përqindje të njëjtë, partitë politike dhe koalicionet fitojnë 6 ulëse në Kuvend, duke ngritur kështu dilemë kushtetuese për diskriminim. Sipas standardeve të shumë vendeve, duhet të ketë reduktim të pragut për kandidatë në 1% apo prag natyral, duke garantuar mosdiskriminim. Në anën tjetër, edhe pse viteve të fundit është shënuar një rritje e konsiderueshme e nivelit të përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës edhe pa ndihmën e kuotës gjinore, situata mbetet ende larg ideales. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, por edhe sfidimit gjyqësor të kuotës gjinore prej 30% nga Avokati i Popullit, nuk do ketë pjesëmarrje të barabartë gjinore në listat zgjedhore të kandidatëve sipas modelit ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat në lista do të duhej të ishte i gjinisë tjetër, në pajtim edhe me Ligjin për barazinë gjinore”, thuhet në letër.
-
KQZ-ja merr masa për të parandaluar manipulimet e evidentuara në zgjedhjet e shkuara
- Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: tri arsye për brengë për shëndetin e demokracisë
-
Shoqëria civile e quan rrezik për rendin demokratik votimin e presidentit pa kuorum
-
Raporti i ekspertëve të BE-së përmend dy shqetësime mbi integritetin e zgjedhjeve në Kosovë