Gjilan

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuara kërkojnë subvencionim, pushteti e opozita fajësojnë njëra-tjetrën

Protestë para objektit të Komunës së Gjilanit kanë mbajtur punëtorë të ndërmarrjes publike lokale “Tregu” me kërkesë për rritje pagash dhe tri shoqata që u ofrojnë shërbime personave me aftësi të kufizuara, me kërkesën për subvencionim. Pushteti dhe opozita në këtë komunë fajësojnë njëra-tjetrën për bllokimin e mbi dy milionë e pesë qind mijë eurove nga Kuvendi Komunal

Tri shoqata që u ofrojnë shërbime personave me aftësi të kufizuara, si dhe punëtorët e ndërmarrjes publike “Tregu”, kanë protestuar të hënën para objektit të Komunës së Gjilanit.

Përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve, asaj “Handikos” dhe shoqatës “Pema” thanë se në rast se Komuna nuk u ofron mjete për vitin e ardhshëm, ata nuk do mund t’i kryejnë shërbimet ndaj komunitetit. 

Fatmir Shurdhani, kryetar i “Handikosit” në Gjilan, përmendi shërbimet që si shoqatë u ofrojnë 40 fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilat nuk do mund t’i vazhdojnë. 

“Shërbimet e rehabilitimit të bazuar në bashkësi, edukimi joformal, fizioterapi, ergoterapi, seanca logopedike, seanca psikologjike dhe seanca sociale, do të thotë të gjitha këto janë ndërprerë”, ka theksuar Shurdhani. 

Paralajmërime të ngjashme bëri edhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Bajram Spahiu. 

“Komuniteti i të verbërve nuk po merr shërbime, edhe ato administrative që jepen nga ne, vërtetimet për studentë janë ndaluar nga këshilli drejtues i shoqatës, kryekëput për shkak të mos financimit të trajnimeve dhe shërbimeve sociale”, ka deklaruar Spahiu. 

Majlinda Spahiu, kryetare e organizatës “Pema”, që ofron shërbime psiko-sociale për fëmijët me nevoja të veçanta ka thënë se në qoftë se nuk gjejnë mbështetje institucionale rrezikohet shuarja e shërbimeve vitin e ardhshëm.

Në protestë ka marrë pjesë edhe Sindikata e Punëtorëve të ndërmarrjes “Tregu” në Gjilan. Nexhat Veseli, kryetar i kësaj sindikate, ka thënë se 300 punëtorët e kësaj ndërmarrjeje që mirëmbajnë disa shkolla, hapësirat publike e disa shtëpi shëndeti, kërkojnë rritje të pagave.

“Ju bëj thirrje edhe një herë që të veproni me shpejtësi, sepse shkollat dhe rrugët e këtij qyteti do të mbesin me mbeturina, do mbesin të baltosura”, ka theksuar Veseli. 

Avdyl Ibishi, anëtar i shoqatës “Handikos” dhe punëtor në ndërmarrjen “Tregu”,  tha se i ka dy kërkesa. 
“Kam dalë të protestoj për dy arsye, mospërkrahjen nga Komuna për subvencionimin e shoqatës ‘Handikos’ dhe mosrritja e pagës që e ka premtuar kryetari prej qershorit të këtij vitit”, ka thënë Ibishi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, fajin ia hodhi opozitës për mosmiratim. Vetëvendosja, partia në pushtet nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

“Dy milionë e 517 mijë euro bllokohen tash e 10 muaj nga Kuvendi Komunal, nga opozita. Është protesta e disatë me radhë që punëtorët e ‘Tregut’ e bëjnë para Komunës, bashkë me përfaqësues të shoqatave të tjera. Por adresa nuk jam unë më, unë e kam adresuar kërkesën ashtu siç më takon si ekzekutiv propozimin për kalimin e buxhetit nga viti 2023 në 2024, në disa kategori të caktuara dhe këtë kërkesë e kam adresuar në Kuvend. Ata vazhdimisht votojnë kundër”, ka sqaruar Hyseni. 

E në opozitë pretendojnë që ekzekutivit në Komunë ia kanë mundësuar që të kryhen këto pagesa për tri shoqatat dhe Ndërmarrjen. Avdyl Aliu, shef i asamblistëve të Lidhjes Demokratike, tha se kryetari Hyseni po tenton që këtë çështje ta përdorë për kushtëzimin e opozitës për ta votuar buxhetin për vitin 2025. 

“Ne si Kuvend Komunal me kohë iu kemi përgjigjur thirrjeve për ndërhyrje financiare më se të nevojshme për këto kategori, duke i dhënë bazë kryetarit të Komunës të ekzekutojë këto pagesa. Fatkeqësisht, kryetari i Komunës duke dashtë që të kontrabandojë buxhetin për vitin 2025 duke i kushtëzuar këto pagesa me votim të buxhetit për 2025”, ka deklaruar Avdyli. 

Përfaqësues të protestuesve thanë se në rast të mospërmbushjes së kërkesave ata do të futen në grevë.