Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ka reaguar përmes një komunikate duke shprehur shqetësimin e thellë për vdekjen e të riut nga Gjilani, i cili vdiq të dielën, pasi u hodh nga kati i pestë i konvikteve në Prishtinë. Ai ishte kthyer një ditë më parë nga Gjermania dhe ishte vendosur në karantinë në Qendrën Studentore.
Shoqata ka kërkuar nga Institucionet që sa më shpejt të zbardhin rastin.
“Është totalisht e papranueshme që dikush të vdesë në duart e shtetit nëse një gjë e tillë ka mundur të parandalohet. Ne falënderojmë pamasë gjithsecilin që ka ndihmuar në menaxhimin e kësaj pandemie, por lëshime të tilla janë të pafalshme“, thuhet në komunikatën e PRAK-ut.
Sipas kësaj shoqate, për të zbardhur rastin duhet të merren parasysh faktet, si: nëse 26-vjeçari i është nënshtruar ndonjë ekzaminimi mjekësor dhe psikologjik para se të karantinohej; nëse ka pasur ndonjë problem psikologjik; dhe, nëse ka njoftuar për diçka të tillë familja e të ndjerit.