Në zonën neutrale të Karaçevës në Kamenicë, mes territorit të Kosovës dhe Serbisë, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike i kazinove.
Në njoftimin e publikuar në Facebook thuhet se ekipet e KEDS-it kanë ndërhyrë pas kërkesës së Komunës, ndërsa këto kazino u tha se janë furnizuar ilegalisht nga shtëpitë private, veprim ky po ashtu i paligjshëm.
“Ndërpritet furnizimi me energji elektrike i kazinove në zonën neutrale të Karaçevës, mes Kosovës dhe Serbisë. Pas kërkesës së Komunës së Kamenicës, ekipet e KEDS sot kanë ndërhyrë dhe kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike të kazinove ilegale në këtë zonë. Sipas informatave të ekipeve të KEDS këto kazino janë furnizuar ilegalisht nga shtëpitë private, veprim ky i cili po ashtu është i kundërligjshëm. Komuna dhe KEDS u bëjnë thirrje dhe mirëpresin çkyqjen e konsumatorëve ilegal nga rrjeti i rënduar i energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Lidhjet e tilla në rrjet janë ilegale.
Në vitin 2019 ishte marrë vendim mbyllja e kazinove në Kosovë, por disa prej tyre kishin vijuar punën në fshatin Karaçevë, që gjendet në zonën kufitare me Serbinë. Policia e Kosovës kishte ndërmarrë disa herë aksione për mbylljen e kazinove që pavarësisht vendimit qeveritar, vijonin punën jashtëligjshëm.