Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkollimi e punësimi, problemet kryesore të romëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, përfaqësuesit institucionalë kanë kërkuar barazi dhe ndalje të diskriminimit në të gjitha aspektet gjatë përfshirjes në shoqëri. Gjithashtu kanë kërkuar që të jenë më të zëshëm në kërkimin e të drejtave të tyre. Për nder të kësaj dite u mbajt edhe një konferencë me qëllim fuqizimin e rolit të komunitetit rom, ashkali e egjiptas

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, përfaqësues të këtij komuniteti që janë pjesë e institucioneve, kanë bërë thirrje për respektim të drejtash e ndalje të diskriminimit.

Në një ngjarje që për temë kishte fuqizimin e rolit të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, u dhanë mesazhe edhe për vetë komunitetet.

“Është një ditë që duhet ta festojë, por edhe të përçojmë mesazhin që të mos kemi diskriminim, mos të kemi racizëm”, ka thënë Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Edhe komunitetit rom dhe të gjithë komunitetet e tjera duhet të avokojmë për të qenë këmbëngulës. Të mos jemi viktimizues, por t’i kërkojmë të drejtat”.

Të premten janë bërë 51 që kur në Londër është mbajtur Kongresi i parë i romëve. Nga atëherë, 8 prilli shënohet si Ditë Ndërkombëtare e Romëve.

Profesori i gjuhës dhe historisë rome, Avdi Misini, ka treguar se Kongresi i vitit 1971 ishte thelbësor për identitetin rom.

Edhe Kurti: Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë LAJMET E MBRËMJES 1 muaj më parë Kurti: Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë

“Janë marrë disa vendime të rëndësishme: romët emërtohen me emrin romë, e jo me fjalë apo me terme pezhorative, është miratuar himni i romëve Xhellem Xhellem, flamuri i romëve, i cili është me ngjyrë të kaltër, ngjyrë të gjelbër dhe me rrotën në mes, që simbolizon migrimin apo udhëtimin e romëve”, ka thënë ai.

Misini ka theksuar të ketë disa përmirësime sa i takon përfshirjes së komunitetit rom në arsimin parauniversitar dhe universitar.

“Në Rrafshin e Dukagjinit romët, fëmijët e komunitetit rom vijojnë mësimin në gjuhën shqipe dhe viteve të fundit është përmirësuar gjendja e pjesëmarrjes së fëmijëve të komunitetit rom në arsimin fillor dhe të mesëm. Gjithashtu e kemi një përmirësim të mirë të numrit të studentëve të cilët vijojnë fakultetet e ndryshme në Republikën e Kosovë”, ka thënë ai.

Të njëjtën e ka theksuar edhe zëvendësministri Veshall.

“Momentalisht jemi në nivel më të mirë. Besoj që në dy dekadat e kaluara shoqëria civile dhe aktivistë të komunitetit rom kanë punuar shumë që ne të mbërrijmë një standard të mirë. Fëmijët e komunitetit rom janë më të shkolluar tani, sipas statistikave që i kemi në terren”, ka thënë ai. “Kryesisht kemi të përfunduar universitetin, edhe masterin po ashtu. Gjëja më e mirë është që femrat e komunitetit rom me numër janë më të madh të shkollave të përfunduara sesa meshkujt”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, në konferencën e mbajtur me qëllim fuqizimin e rolit të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali ka thënë se prioritet kryesor i kësaj Ministrie është avancimi i të drejtave të komunitetit rom.

“Në vazhdimësi me kryetarët e komunave kemi pasur këtë qasjen që të bashkëpunojmë në mënyrë që edhe ne të kryejmë pjesën tonë të obligimit dhe që ata të kenë më lehtë ofrimin e shërbimeve më të mira për komunitetet. Edhe punësimi vazhdon të jetë njëra ndër temat kryesore të diskutimeve tona”, ka thënë Krasniqi.

Habit Hajredini, shef i Zyrës për qeverisje të mirë në Zyrën e kryeministrit, ka thënë se papunësia vazhdon të mbetet sfidë kryesore.

Edhe Kurti: Diversiteti kulturor është pasuri e Kosovës Arbëri 1 muaj më parë Kurti: Diversiteti kulturor është pasuri e Kosovës

“Është një prej pikave kyç, prej sfidave më të mëdha që kemi në vend, duke e ditur që papunësia dhe aspekti social ekonomik në vend nuk është për t’u dëshiruar dhe normal që godet më shumë edhe grupet e margjinalizuara, grupet më të ndjeshme. Ne kemi biseduar edhe me ministrin, por edhe në kabinet për të parë mundësinë se si ta vendosim në funksion një mekanizëm që do ta nxiste dhe promovonte punësimin e tri komuniteteve”, ka thënë ai.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve është shprehur synimi për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sfidat me të cilat përballet ky komunitet.