Për të rinj të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të mërkurën ka hapur dyert Qendra e Resurseve për Studentë, si dhe është lansuar programi për mbështetje plotësuese në studime akademike. Kjo iniciativë, nga përfaqësues të këtyre komuniteteve, është kualifikuar si dëshmi e bindjes në fuqinë transformuese të arsimit
Shkalla e arsimimit mes të rinjve romë, ashkalinj e egjiptianë vlerësohet e ulët krahasuar me atë të komuniteteve në Kosovë, e si kontribut në këtë drejtim të mërkurën është hapur Qendra e Resurseve për Studentët e këtyre komuniteteve.
Krahas qendrës, që është vendosur në ambientet e organizatës “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve” e që është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, për këta studentë është lansuar edhe faza e dytë e programit të veçantë që synon t’u sigurojë mbështetje akademike.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se mbështetja e ofruar për të rinjtë romë, ashkalinj e egjiptianë e synon avancimin e tyre në shoqëri.
“Mbështetja që ofron Ministria e Arsimit për studentët e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian të Kosovës, ka për qëllim jo vetëm të mbështesë secilin nga studentët përfitues, por mbi të gjitha, të frymëzojë dhe të inkurajojë të rinjtë e të rejat e komuniteteve të avancojnë jo vetëm veten e tyre dhe familjen, por gjithë shoqërinë”, deklaroi Nagavci.
Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi ka theksuar synimin e Qeverisë për krijimin e një shoqërie, në të cilën, siç tha, nuk ka hapësirë për diskriminim e stereotipa në bazë etnie apo gjuhe.
E Isak Skenderi, drejtor i organizatës “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, i kualifikoi projektet, sikur kjo e Qendrës së Resurseve për Studentët të komuniteteve, si dëshmi e bindjes së përbashkët në fuqinë transformuese të arsimit.
“Për komunitetet tona, arsimi përfaqëson një mundësi për të kapërcyer barrierat, për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme dhe më të drejtë. Qendra e resurseve për studentët është projektuar të jetë një vend frymëzimi, bashkëpunimi dhe zhvillimi. Këtu studentët do të gjejnë mjetet, burimet dhe mbështetjen e nevojshme për të kapërcyer sfidat akademike, për të zbuluar potencialin e tyre dhe për të realizuar ëndrrat e tyre”, tha Skenderi.
Hapësira edukative bashkë me programin që siguron mbështetje akademike synojnë të krijojnë ambient të favorshëm për zhvillimin arsimor e social të studentëve të komuniteteve pakicë.