Fëmijë romë, ashkalinj dhe egjiptianë rrezikojnë që të mbesin pa mbështetjen të cilën ua ofrojnë qendrat mësimore. Në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar ditë më parë, është ngritur alarmi se disa prej këtyre qendrave janë mbyllur në mungesë të mbështetjes financiare. Teksa këtë të dhënë e kanë konfirmuar përfaqësues të disa qendrave dhe të organizatave të merren me çështjen, në Ministrinë e Arsimit kanë thënë të mos kenë informata
Raporti i Progresit për Kosovën, i cili është publikuar ditë më parë, ka ngritur alarmin se shumë prej qendrave mësimore që ofrojnë mbështetje plotësuese dhe psiko-sociale për fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë mbyllur si pasojë e mungesës së mbështetjes financiare dhe institucionale.
Të pyetur lidhur me këtë të dhënë të cekur në dokumentin e Komisionit Evropian (KE), në Ministrinë e Arsimit (MASHTI) kanë thënë se nuk posedojnë ndonjë të dhënë për mbylljen e qendrave të tilla.
“MASHTI nuk ka informata nëse është mbyllur ndonjë Qendër Mësimore, ndërsa sa i përket mbështetjes institucionale dhe financiare, MASHTI ka ofruar mbështetje të vazhdueshme Qendrat Mësimore. Fillimisht është hartuar Udhëzimin Administrativ, janë ofruar trajnime të vazhdueshme për stafin, është hartuar korniza e programeve në bashkëpunim me KiE, pastaj është përgatitur data baza për raportim dhe monitorim të Qendrave Mësimore”, kanë thënë në ministrinë e Arsimit.
Por qëndrim ndryshe kanë shprehur përfaqësues të këtyre qendrave.
Burim Sylejmani, i cili është koordinator i qendrës që funksionon prej shtatë vjetësh në kuadër të shkollës fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, ka paralajmëruar se ajo mund të mbyllet nga janari, teksa ka thënë që mësimdhënësit e angazhuar aty nuk janë paguar që nga qershori.
“Atëherë është shkëputur kontrata se deri atëherë e kemi pasur. Kurse tash, duke mos pasur vullnet për ta ndërprerë, e kemi vazhduar kontratën nga shtatori dhe besoj të rregullohet kjo. Mendoj që nëse nuk ndërmerret kurgjo direkt nga ministria e arsimit dhe të fokusohet mirë te kontrata e përgjithshme dhe ta kuptojnë mirë rolin e qendrave mësimore, mendoj që janë të rrezikum me u mbyllë sikurse edhe qendrat tjera”, ka theksuar Sylejmani.
E në organizatën “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” kanë konfirmuar se katër qendra mësimore që kanë funksionuar në bashkëpunim me të janë mbyllur gjatë viteve të fundit, ndërsa edhe 15 të tjera e rrezikojnë mbylljen.
“Në Raportin e Progresit potencohet jashtëzakonisht mirë që pjesëmarrja e fëmijëve të komuniteteve lidhet ngushtë me qendrat mësimore, sepse në këtë rast qendrat mësimore kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes dhe rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në shkollë. Në momentin që nuk bëhet një zgjidhje, unë konsideroj që jo vetëm qendrat e organizatës tonë, por të gjitha qendrat në Kosovë nuk do të kenë mundësi të funksionojnë”, ka theksuar Bajram Ilazi, i cili është zyrtar i lartë i programit të edukimit në “Voice of roma, ashkali and egyptians”.
Sipas tij, pengesa më e madhe mbetet mungesa e buxhetit për punësim të mësimdhënësve.
“Problemi kryesor qëndron tek pozita e mësimdhënësit ose toturial pasi që ligjet në fuqi që i kem në fushën e arsimit është tepër shumë e vështirë për komunat që ti punësojnë toturial apo mësimdhënës të qendrave mësimore meqenëse nuk kanë në kod buxhetor apo një vijë buxhetore e cila e lejon punësimin e tyre. Fatkeqësisht pjesa më e madhe e komunave detyrohen që punësimi i toturial të jetë ose kontratë mbi vepër ose asistent i fëmijëve me nevoja të veçanta”, është shprehur ai.
Në Kosovë funksionojnë rreth 80 qendra mësimore, por vetëm 56 prej tyre janë të regjistruara në Ministrinë e Arsimit.