Shkolla fillore “Naim Frashëri” është e vetmja në Komunën e Podujevës që ka punuar me tri ndërresa. Sivjet, pas riorganizimit të orarit, që e ka bërë udhëheqja e re, shkolla tash punon me dy ndërrime dhe tri mesndërresa. Zyrtarët dhe mësimdhënësit e shkollës thonë se numri i madh i nxënësve e mungesa e klasave po shkaktojnë telashe në arritjen e rezultateve. Në Komunë kanë thënë se e kanë në plan ndërtimin e një shkolle të mesme afër Gjimnazit
Podujevë, 27 shkurt - Menaxhmenti dhe mësimdhënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Komunën e Podujevës janë duke u ballafaquar me vështirësi, për shkak të numrit të madh të nxënësve e mungesës së hapësirave.
Kjo shkollë është e vetmja në Komunën e Podujevës, e cila deri tash ka punuar me tri ndërresa.
Por me riorganizimin e orarit, tash mësimi zhvillohet me dy ndërresa dhe tri mesndërresa.
Shkolla nuk ka as klasa për parafillorët.
“Ky objekt nuk ka hapësirë të mjaftueshme për numrin e madh të nxënësve, kur dihet se i kemi 1.060 nxënës, i kemi 39 paralele dhe vetëm 16 mësonjëtore. Numri i madh i nxënësve e vështirëson punën e mësimdhënësve në arritjen e rezultateve të synuara nga ata. Ka mungesë të hapësirave për parafillorë dhe në anën tjetër kërkesë permanente të prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre”, deklaroi Besnik Uka, drejtor në shkollën “Naim Frashëri” në Podujevë.
Edhe mësimdhënësit thonë se për shkak të hapësirës së vogël të shkollës po hasin vështirësi në realizimin e aktiviteteve të ndryshme.
“Përkundër sukseseve dhe arritjeve të kënaqshme, këtu kemi edhe pengesa. Këto pengesa na i shkakton më shumë numri i madh i nxënësve nëpër klasa, ku kemi klasa edhe me nga 35 nxënës dhe sigurisht se ajo ndikon edhe në cilësinë në procesin edukativo-arsimor. Pastaj kemi mungesa të hapësirave shkollore. Shumë aktivitete që ne na duhen për realizimin e plan-programit tonë duhet t’i mbajmë në kushte jo të favorshme, duke ndjekur klasë për klasë ku të gjejmë ndonjë klasë të lirë”, u shpreh Zejnepe Breznica, mësimdhënëse.
Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia, thotë se “Naim Frashëri” konsiderohet si shkollë elitë dhe kjo, sipas tij, ka rritur edhe kërkesat e prindërve për t’i regjistruar fëmijët aty.
“Ne si Komunë synojmë që në të ardhmen ta zhvendosim Shkollën e Mesme Ekonomike te kompleksi i shkollave të mesme dhe objektin e Shkollës së Mesme Ekonomike ta shndërrojmë në një shkollë fillore, e cila një pjesë e madhe të nxënësve të cilët i vijojnë mësimet në shkollën fillore ‘Naim Frashëri’ do të vijonin mësimin në objektin e shkollës tashmë ekonomike ‘Isa Boletini’”, tha Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.
Ndërkohë, drejtori Uka ka thënë se pavarësisht vështirësive, shkolla “Naim Frashëri” është e vetmja në këtë komunë që i ka të pajisura të gjitha klasat me smart tv dhe internet.