Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shipoli së shpejti me çerdhe moderne për fëmijë

Fshati Shipol i Mitrovicës së shpejti do të bëhet me çerdhe publike për fëmijë.

Çerdhen e cila është duke u ndërtuar në këtë vend, e kanë vizituar sot drejtori i Drejtorisë së Prokurimit, Elvis Feka bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Edison Tërnava.

Në komunikatën e lëshuar nga komuna, njoftohet se përmes kësaj vizite, ata kanë parë për së afërmi punimet të cilat janë duke u zhvilluar në ndërtimin e kësaj çerdhe, për të cilën kanë planifikuar buxhet shtesë për këtë vit në mënyrë që punimet të arrijnë në fazën finale.

“Kjo çerdhe publike e cila është në ndërtim e sipër do të jetë institucioni më modern i këtij lloji në Mitrovicë, që do të shërbej më shumë për banorët e Shipolit. Çerdhja ndodhet në një lokacion të përshtatshëm, ku në afërsi të saj ndodhet edhe shkolla fillore, si dhe qendra e mjekësisë familjare. Çerdhja do t’i përmbush sado pak nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për kujdes ndaj fëmijëve për prindërit të cilët kanë nevojë për kujdes ditorë të fëmijëve të tyre”, thuhet më tej në njoftimin e komunës.