Komuna e Podujevës i ka 950 raste aktive me koronavirus, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 68.
Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama, ka thënë se edhe pse në javën e fundit ka rënie të lehtë të numrit të të infektuarve, sipas saj, shifrat janë ende të larta.
“Jemi duke testuar një numër shumë të madh të qytetarëve që të zbulohen me kohë dhe me kohë të jetë trajtimi ashtu si duhet. Këtu në Podujevë testohen brenda dite deri në 350 qytetarë. Këtu i testojmë edhe me PCR edhe me metodën rapid test”, tha Rama.
Rama thotë se janë 3 ekipe mjekësore që kujdesen për të infektuarit me Covid-19 dhe se në QKMF trajtohen pacientët me simptoma të lehta dhe ata me intensitet mesatar, ndërsa rastet e rënda i dërgojnë në QKUK.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka folur për shtimin e kapaciteteve në QKMF për menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“E kemi trashëguar një gjendje shumë të rëndë, një qendër anti-COVID me 4 shtretër dhe ku janë trajtuar edhe të sëmurët me COVID-19 edhe ata që kanë qenë të dyshuar me COVID. Me të ardhur në pushtet, ne i kemi zgjeruar këto kapacitete”, tha Bulliqi.
Rama e Bulliqi kanë thënë se interesimi për t’u vaksinuar është shumë i madh në Komunën e Podujevës. Deri tash janë dhënë 40 mijë doza të vaksinës.