Janari e ka rikthyer koronavirusin në Komunën e Podujevës. Edhe pse më 31 dhjetor ishte vetëm një rast aktiv, tash kjo komunë numëron 655. Shtimi i rasteve e ka rritur edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë të testohen. Prapa kamerës ata kanë thënë se për shkak të pritjes afër njëri-tjetrit, rrezikohen të marrin virusin edhe nëse nuk e kanë pasur para testimit. Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë se pothuajse të gjitha rastet e reja të muajit janar janë me variantin Omicron.
“Prej rritjes së rasteve ne kemi edhe një fluks të qytetarëve për testime. E kemi një fluks që ndoshta brenda ditës 450-480 testime kryhen në Podujevë. Këtu çdo ditë merren mostrat për testet PCR, si dhe kryhen testet rapide. D.mth. çdo ditë kryhen testime”, ka bërë të ditur Rama.
Ajo thotë se brenda ditës pozitivë me COVID-19 rezultojnë nga 100 deri në 120 qytetarë. Për dallim kur në fillim të pandemisë prekeshin më shumë moshat e shtyra, Rama thekson se tash po preken më shumë të rinjtë.
“Po edhe sa u përket rasteve pozitive, janë të atakuara më shumë moshat rinore, si dhe fëmijët. Unë mund të them se mosha e atakuar më së shumti është prej moshës 20-39 vjet. Mirëpo, kemi një numër të madh të pacientëve që janë të prekur edhe prej moshës 10-16, zakonisht të shkollës fillore”, ka shtuar epidemiologia në QKMF-në e Podujevës.
Rama thotë se është e kënaqur me vaksinimin në Komunën e Podujevës. Sipas saj, deri tash janë administruar më shumë se 80 mijë doza të vaksinës. Megjithatë, për dallim nga dhoma ku merren testet, te vaksinimi nuk ka radhë të pritjes.
“Erdha këtu pranë Qendrës Familjare në Komunën e Podujevës për me marrë vaksinën e tretë. Rend nuk kish pasë, kallaballëk jo, puna shkojke shumë në rregull. Kështu që i kisha apeluar edhe të tjerët që të mos hezitojnë, po të vijnë ta marrin vaksinën”, ka deklaruar Flamur Zeneli.
Në Komunën e Podujevës që prej fillimit të pandemisë janë infektuar 8 mijë e 57 persona, prej të cilëve 7 mijë e 327 janë shëruar, ndërsa 75 veta nuk i kanë mbijetuar këtij virusi.