Përkeqësimi i situatës epidemiologjike në ditët e fundit ka rritur kërkesën për testime në Komunën e Prizrenit. Ekipet kujdestare të shëndetësisë primare në Prizren edhe gjatë fundjavës po e mundësojnë realizimin e testeve rapide. Gjatë tërë javës kujdesi parësor shëndetësor në territorin e kësaj komune realizon rreth 5 mijë teste.
Kujdesi parësor shëndetësor në Prizren që prej fundjavës së shkuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare po mundëson realizimin e testeve rapide për personat që kanë simptoma të Covidit. Angazhimi i ekipeve të kujdestarisë për këtë shërbim, sipas zyrtarëve komunalë, është bërë për shkak të rritjes së rasteve pozitive me COVID-19 në nivel vendi.
“Rritja e numrit të rasteve pozitive kohëve të fundit ka bërë që ne gjatë vikendeve të organizojmë realizimin e testeve rapide, i cili bëhet me anë të udhëzimit nga mjeku familjar, në raste të shfaqjes së simptomave. Kujdestaria punon çdo të shtunë dhe të diele nga ora 8:00 deri në ora 14:00”, ka thënë Burbuqe Berisha, drejtoreshë e Shëndetësisë.
Sipas zyrtares së lartë komunale, interesimi i qytetarëve për testim është i madh, meqë gjatë fundjavës realizohen nga 200 teste brenda ditës. Ndërsa në total gjatë javës kujdesi parësor shëndetësor aktualisht po realizon rreth 5 mijë teste rapide.
“Nëse i llogarisim bashkë me shkolla, ekipet mobile që funksionojnë nëpër shkolla, atëherë i kemi deri në 5 mijë teste brenda javës që bëhen, edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, në 15 QMF, po ashtu edhe në ekipet mobile që funksionojnë nëpër shkolla”, ka vazhduar ajo.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se varianti Omicron po përhapet me intensitet të lartë, me shtim të hospitalizimeve e rasteve fatale, duke rënduar kësisoj situatën epidemiologjike në vend.