Ka një javë që në Komunën e Podujevës nuk është asnjë rast aktiv me COVID-19. Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka thënë se prej fillimit të pandemisë e deri më sot në këtë komunë kanë qenë të infektuar 7 mijë e 237 veta, prej të cilëve 74 kanë vdekur. Ndërkohë, që nga data 26 tetor nuk ka asnjë rast aktiv dhe 7 mijë e 163 të infektuar tashmë janë shëruar.
Krahas rënies së rasteve, Rama thotë se ka rënë edhe interesimi për t’u vaksinuar.
“Deri tash janë 72.964 doza të administruara. Mesatarja e të vaksinuarve ditët e fundit është më e ulët, 300-400 doza brenda 24 orëve. Nga data 28 tetor 2021 kemi filluar vaksinimin edhe kundër gripit sezonal dhe vaksinimi kryhet në sallën e vaksinimit anti-COVID të SHFMU ‘Xheladin Rekaliu’”, ka theksuar Bedrie Rama.
Për dallim nga Komuna e Podujevës, në Fushë-Kosovë janë 16 raste aktive me COVID-19. Drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Osman Maxhera, ka thënë se deri tash i kanë pasur 6 mijë e 752 të infektuar, prej të cilëve 6 mijë e 655 janë shëruar, 81 kanë vdekur dhe 16 janë raste aktive.
Edhe këtu, ka rënë dukshëm interesimi për vaksinim kundër pandemisë COVID-19.
“Deri tash në Komunën e Fushë-Kosovës janë vaksinuar 38 mijë e 62 veta. Me dozën e parë janë 20 mijë e 289, kurse me dy dozat 17 mijë e 764. Vaksina ka në sasi të mjaftueshme. Numri i të vaksinuare në ditë më 25 tetor ka qenë 381, kurse më 3 nëntor 81. Më herët janë vaksinuar mbi 500 veta në ditë”, ka thënë Osman Maxhera.
Pak më pak raste kanë qenë në Komunën e Obiliqit. Drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Haki Jashari, ka theksuar se nga 5 mijë e 217 testime që i kanë bërë, 2 mijë e 480 kanë rezultuar pozitivë, prej të cilëve deri tash janë shëruar 2 mijë e 408, 10 raste janë aktive, kurse kanë vdekur 62 veta.
“Deri tash janë vaksinuar 22 mijë e 399 qytetarë. Prej tyre, me një dozë janë 11 mijë e 924, kurse me dy dozat 10 mijë e 475. Interesimi ka rënë shumë. Furnizimi me vaksina është i mjaftueshëm”, ka thënë ai.
KOHA u ka dërguar pyetje edhe zyrtarëve komunalë të Graçanicës rreth çështjes së pandemisë COVID-19 dhe vaksinimit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.