Muaji tetor ka shënuar rënie të numrit të të vaksinuarve kundër COVID-19 në tri komuna të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq). Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se krahasuar me muajt paraprak, në gjysmën e parë të këtij muaji ka më pak vaksina të administruara.
Në total këto tri komuna deri tash kanë administruar 125 mijë e 547 vaksina.
Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka theksuar se gjatë tetorit në ditë administrohen nga 350 deri në 500 vaksina, kurse gjatë muajve paraprak janë dhënë deri në 900 vaksina.
“Deri më tani janë gjithsej 68 mijë e 724 doza të vaksinave të administruara në Komunën e Podujevës. Numri mesatar i vaksinimit ditor muajin e fundit është më i ultë. Brenda ditës i kemi 350- 500 të vaksinuar”, ka thënë Bedrie Rama.
Në Komunën e Podujevës që nga fillimi i pandemisë COVID-19 janë infektuar 7 mijë e 237 persona. Prej tyre, sipas epidemiologes së QKMF-së, 7 mijë e 157 janë shëruar, 74 kanë vdekur, kurse vetëm 6 raste janë aktive.
Edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, Osman Maxhera, ka thënë se gjatë tetorit ka më pak të interesuar për vaksinim.
“Që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Komunën e Fushë-Kosovës janë administruar 35 mijë e 667 vaksina. Me dozën e parë janë 20 mijë e 86, kurse me dy dozat 15 mijë e 581. Në muajin shtator janë dhënë 11 mijë e 618 vaksina, kurse deri në gjysmën e tetorit janë administruar 4 mijë e 148 doza të vaksinave. Numri është në rënie”, është shprehur drejtori Maxhera.
Sipas tij, në Fushë-Kosovë deri tash janë 6 mijë e 738 të infektuar, 6 mijë e 622 janë shëruar, 80 kanë vdekur, kurse 36 raste janë aktive.
Më pak se në Fushë-Kosovë vaksina janë dhënë në Komunën e Obiliqit. Sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Haki Jashari, deri më 14 tetor janë administruar 21 mijë e 156 vaksina dhe 10 mijë qytetarët i kanë marrë të dy dozat. Megjithëse ka thënë se kohën e fundit është shtuar interesimi për vaksinim, sipas tabelës që e ka dërguar, shihet se gjatë muajit shtator janë administruar 7 mijë e 290 vaksina, kurse nga 1 deri më 14 tetor janë 2 mijë e 56 vaksina.
“Deri tash i kemi pasur 5 mijë e 281 qytetarët të testuar, raste pozitive deri tash i kemi 2 mijë e 468, të vdekur 61, të shëruar 2 mijë e 382 dhe 25 raste aktive. Deri më tani janë bërë edhe 5 mijë e 700 teste serologjike dhe 3 mijë teste rapide”, ka thënë Jashari.
KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga zyrtarët e Komunës së Graçanicës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.