Ekipet mjekësore të Qendrës së vaksinimit në Komunën e Podujevës kanë administruar afro 57 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19. Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në këtë komunë, Bedrie Rama, ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është i njëjtë sikurse gjatë muajve korrik e gusht.
“Brenda dite vaksinohen 800-900 qytetarë të Komunës së Podujevës me vaksina kundër COVID-19. Deri tash janë gjithsej 56,900 doza të administruara të vaksinave. Interesimi për vaksinim edhe tash është i njëjtë”, ka thënë Rama për KOHËN.
Epidemiologia në QKMF-në e Podujevës ka theksuar se prej fillimit të pandemisë në këtë komunë janë infektuar 7 mijë e 207 qytetarë me virusin Sars-Cov2.
“Deri tash janë shëruar 6,961 pacientë të prekur me COVID-19, ndërsa 173 janë raste aktive dhe 73 raste të vdekur”, ka thënë ajo.