Arbëri

Shërbyesit civilë thonë se po diskriminohen nga Ligji i ri i pagave

Rreth 23 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës, po shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur më Ligjin e ri për paga, i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, kurse ka hyrë në fuqi më 2 nëntor të këtij viti.

Sipas këtij ligji, rreth 70 për qind e punëtorëve në sektorin publik, nga muaji dhjetor pritet që të marrin pagat në rritje.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radion Evropa e Lirë, se shërbyesit civilë ndjehen të diskriminuar dhe nuk trajtohen të barabartë sa i përket nivelit të pagave.

Ai tha se me Ligjin e ri për pagat, shërbyesit civilë mbesin në koeficientin shumë të ulët, respektivisht rritje të vogël të pagave. Ai kërkon që shërbyesit civilë të sistemohen mbi bazën e kontributeve të punës dhe pozitës që kanë në vend të punës.

“Pakënaqësitë e shërbyesve civilë kanë filluar të shprehen, por fillimi i pranimit të pagave do të manifestojë me një pakënaqësi shumë të madhe sepse dihet dallimi i madh i pagave në mes shërbyesve publikë në përgjithësi. Ata janë të pakënaqur sepse në kuadër të shërbimit civil ka shumë sektorë që bëjnë punë profesionale dhe mbi bazën e Ligjit të profesioneve ata do të duhet të paguhen sikur sektori tjetër i shëndetësisë dhe i arsimit”, tha Zymberi për Radion Evropa e Lirë.

Paga mesatare e shërbyeseve civilë në Kosovë, sipas Zymberit, është 370 euro në muaj, kurse me ligjin e ri, disa nga shërbyesit civilë pagat mund të marrin një rritje për 40 euro në muaj.

Kjo sindikatë edhe para nënshkrimit të Ligjit për pagat, më 2 shkurt të këtij viti, ka mbajtur disa greva, ndërkohë që kishte kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos e ratifikojë Ligjin për paga.

Zymberi tregon se sindikata kishte deponuar edhe një ankesë zyrtare në lidhje me Ligjin për pagat tek institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.

Përveç Sindikatës së Shërbyeseve Civilë, Avokati i Popullit në Kosovë, deri më tani ka pranuar edhe 17 ankesa tjera lidhur me Ligjin për pagat në sektorin publik, ku nuk përfshihen vetëm sindikatat, por edhe grupe ankuesish të ndryshëm të cilët konsiderojnë që Ligji për pagat ndikon negativisht në interesat e tyre.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari duke thënë se “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për pagat në sektorin publik”, tha Jashari.

Mursel Zymberi, ndërkaq thotë se trajtimi diskriminues i institucioneve shtetërore ndaj shërbyesve civilë do të ndikojë edhe në punën e sektorëve të tjerë.

“Më këtë trajtim që i kanë bërë institucionet shtetërore shërbimit civil, sigurisht që ky shërbim nuk do të jetë në nivelin e detyrës. Nëse nuk e kemi shërbimin civil në nivel të detyrë, nuk mund të themi se kemi një shtet të mirëfilltë sepse as gjykata, as policia, prokuroria dhe as shëndetësia nuk do të mund të funksionojnë pa organizatë të mirëfilltë”, tha ai.

“Pengesat këtu do të ndodhin sepse tashmë ka filluar të proklamohet nga gjykatat se pagat e tyre do të shkojnë deri në 2000 mijë euro, kurse zyrtari për shërbime sociale i cili jep raporte dhe mendime profesionale, do të ketë pagë 400 euro. Kjo nuk do të ndodhë, kjo s’do lejohet dhe sigurisht që nuk do të lejohet”, tha Zymberi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.