Arbëri

Arrin në 45 numri i ankesave kundër Ligjit të pagave

Mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik kanë marrë pagat e reja me Ligjin e ri për pagat. Por, shumë nga ta janë ankuar se pagat me ligjin e ri u kanë marr më të ulëta. Kjo ka ndikuar që numri i sindikatave dhe i institucioneve të cilët janë të pakënaqur me këtë Ligj të rritet çdo ditë e më shumë.

Deri më tani, siç shkruan “Betimi për Drejtësi”, numri i ankesave që ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbërritur në 45.

Siç ka thënë Petrit Çollaku, zëdhënës i Avokatit të Popullit, ankesa kanë pranuar nga sindikatat dhe institucionet e vendit. Po ashtu, sipas tij, janë ankuar edhe profile të zyrtarëve të cilët ankesën e kanë bërë në emër të tyre individual dhe grupor.

Në shkurt, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për ndarjet buxhetore, në të cilin parashihej që vlera e koeficientit të jetë 105 euro.

Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, tashmë inicimi i rastit në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm përmes Avokatit të Popullit dhe prej një bashkësie deputetësh prej 30, brenda periudhës kohore prej 6 muajve që nga hyrja e ligjit në fuqi. /BetimipërDrejtësi