Arbëri

Avokati i Popullit ka pranuar 18 ankesa për Ligjin e pagave

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP)ka pranuar gjithsej 18 ankesa për Ligjin e pagave. Këto ankesa zëdhënësi i IAP-së, Petrit Çollaku ka thënë se do të shqyrtohen brenda afatit ligjor prej gjashtë muajsh dhe pas kësaj do të dalë me një qëndrim për Ligjin, i cili është miratuar në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar.

Çollaku, ka thënë se përveç Këshillit Prokurorial të Kosovës e sindikatave të ndryshme, ankesa për këtë Ligj kanë deponuar edhe disa qytetarë.

“Institucioni i Avokatit të Popullit deri më tani ka pranuar 18 ankesa si nga qytetarët, ankesë individuale, po ashtu edhe ato nga institucionet që kanë të bëjnë me Ligjin për paga në sektorin publik. Janë ankesat që vijnë nga sektorë të ndryshëm. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dërguar ankesë, Sindikata e Policisë së Kosovës, një kërkesë është bërë më herët nga organizata jo qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, janë mjekët ata që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, pastaj janë një grup i Auditorëve të Brendshëm, Shoqata e Fizioterapeutëve, pastaj është edhe Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës dhe disa ankesa të qytetarëve që kanë bërë ankesa individuale në lidhje më vlerën e koeficientit të Ligjit për paga”, ka theksuar Çollaku.

Ai ka deklaruar se Institucioni i Avokatit të Popullit, pasi t’i shqyrtojë ankesat do të vendos nëse do ta dërgojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne jemi duke i trajtuar këto ankesa me shumë kujdes. Kolegët janë duke analizuar Ligjin në fjalë. Pas këtyre analizimeve edhe Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim të qartë në lidhje me atë se a do të procedohet në Gjykatë Kushtetuese apo jo. Ligji ka hyrë në fuqi me 5 shkurt, është një afat ligjor prej 6 muajsh, nuk e di a do t’i nevojitet kjo kohë e tëra por e di që kolegët janë duke punuar më të dhe një kohë jo shumë të gjatë edhe Avokati i Popullit do të dalë me një qëndrim”, është shprehur Çollaku. / EO