Arbëri

Paralajmërohet dërgimi në Kushtetuese i Ligjit për Paga

Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka paralajmëruar se Ligjin për Paga do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pas publikimit të vlerës së koeficientit (105) të pagave bruto në sektorin publik të mërkurën nga Qeveria.

Sefaj ka thënë se si administratë publike janë të pakënaqur me koeficientin.

“Si administratë publike jemi të pakënaqur. Dhe Ligjin për Paga nëpërmjet Avokatit të Popullit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, pasi me të mund të bie edhe vlera e koeficientit”, ka thënë ai për KOHËN.

Të pakënaqur kanë thënë se janë edhe Sindikata e Policisë. Kritika për vlerën e koeficientit pati edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro. Ligji i Pagave që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike a të fatkeqësisë natyrore.

Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit, që sivjet është rritur edhe për paga e shtesa për 75 milionë euro në raport me vitin e shkuar.

Të mërkurën Qeveria ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Buxhetin, që do të shkojnë për miratim në Kuvend. Pagat e reja do të dalin nga ky muaj, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Ai ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110.