“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave”, thuhet në nenin 42 të Ligjit të Pagave. Megjithatë, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, paralajmërimi i Qeverisë se nga janari do të ketë rritje për 0.5 pikë të koeficientit për të gjithë punonjësit publik nuk paraqet shkelje ligjore.
“Sa i përket ligjshmërisë, ne me ligj të buxhetit po e procedojmë rritjen e pagave. Dje s’ka pasur vendim të Qeverisë. Qeveria ka vendosur sot në mbledhjen e miratimit të buxhetit përmes miratimit të buxhetit, ngjashëm sikur vitin e kaluar kur është rritur koeficienti nga 105 në 110 euro. Para se të vinte për miratim në mbledhje të qeverisë ka qenë një vendim paraprak që është dashur ta shkruajë dikush sa duhet të jetë. Ngjashëm është bërë edhe kësaj radhe. Po e procedojmë përmes ndryshimit ligjor, në këtë rast përmes ligjit për ndarjet buxhetore që miratohet në Kuvend dhe pas miratimit në Kuvend edhe fillon zbatimi”, ka thënë Murati në konferencën për media të mërkurën. “S’ka të bëjë me paligjshmëri apo dilema që janë ngritur. Gjithsesi mund të ketë çdo kush dilema”.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nga janari do të ketë rritje pagash prej 55 eurosh për të gjithë në sektorin publik e nga 1 korriku edhe nga 55 euro të tjera. Si arsyetim ai tha se Qeveria nuk ka dashur të shtonte dallimin mes atyre që marrin paga më të larta dhe atyre që kanë paga më të ulëta. Vlera e koeficientit do të mbesë 110 euro, tha ai.
Ndërkaq Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se është pikërisht neni 42 që e kufizon mundësinë për të ndryshuar strukturën apo nivelin e koeficienteve.
“Dhe propozimi i qeverisë është një vendim që shkatërron parimin e vendosur në nenin 42, duke mbi vendosur strukturë të re, duke ndryshuar komponentën dhe nivelizimin e përcaktuar në këtë nen dhe katalogun e koeficienteve, dhe jo duke e përcaktuar vlerën e koeficientit, ashtu siç thotë Ligji. Për më tepër, ky propozim është një propozim i njëanshëm, të cilit nuk i ka paraprirë dialogu social si dhe është një propozim jo transparent. Në bazë të ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik, kështu që veprimet e qeverisë janë të kundërligjshme dhe me këtë edhe keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale”, ka shkruar drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj në Facebook.
Edhe shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e quajti të kundërligjshëm propozimin. Sipas tij, për të pasur ligjshmëri duhen ndryshime në Ligjin e Pagave.
Kostoja vjetore e rritjes së planifikuar është rreth 120 milionë euro.
Qeveria të mërkurën miratoi projektbuxhetin 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025.